Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 09:17

Ditët me diell tashmë kanë ardhur, kështu që vajza, besoj se jeni gati për të eksperimentuar me mënyrën se si do t’i  modeloni flokët tuaj. Meqenëse ky është një sezon i nxehtë, atëherë pse mos të eksperimentoni me modele të thjeshta dhe mjaft komode duke i kapur flokët lart?

Nëse po kërkoni modele të thjeshta dhe të lehta për t’u bërë, mjafton të shikoni këtë set fotografik dhe do të merrni frymëzimin e duhur. Nëse jeni duke nxituar dhe nuk keni kohë për të rregulluar flokët tuaj, atëherë ju mund t’i kapni ato në një model të thjeshtë por shumë atraktiv.

Bëjini flokët tuaj me volum, nëse keni kaçurrela me një krehër mund t’i  fryni dhe në fund aplikoni një serum shndritës sipër flokëve të kapur. Si rezultat do të keni pamjen që dëshironi. Nëse keni një rast romantik dhe dëshironi të dukeni e veçantë me stilin tuaj, mjafton të vendosni një shirit mbi flokë, ose t’i kapni flokët tuaj në formë shiriti.

Gërshetat dhe flokët e kapur tufë janë modele të përhershme, ato kthehen sezon pas sezoni më në modë se kurrë! Ju mund të mbani një model të këndshëm duke i kapur flokët gërshet kurriz-peshku me fije të dala anash dhe të keni një pamje magjepsëse.

Një tjetër model është t’i bëni flokët gërshet dhe ta vendosni atë rreth kokës. Ky stilim do t’ju ndihmojë të nxirrni në pah tiparet e fytyrës suaj. Gjithashtu ju mund të kapni flokët tuaj në tre pjesë gërshetash dhe t’i përfundoni këto gërsheta të bashkuar në një të vetëm.

Cili prej tyre ju pëlqen më shumë? (LajmeShqip.com)