Lajme Shqip Friday, 04 October 2013 18:12

Në kërkim të zërit të Shqipërisë, nis nga e premtja mbrema edicioni i trete i “The Voice of Albania”, prezantuar nga Ledion Liço.
Një sërë risish këtë vit, duke nisur nga trajnerët. Aurela Gaçe, e cila i bashkohet në këtë edicion grupit që rikonfirmohet: Alma Bektashi, Elton Deda dhe Sidrit Bejleri.
“Do të mundohem të gjej një personazh si vetja. Me trajnerët e tjerë kam një raport perfekt pasi e njohim prej vitesh njëri-tjetrin. Vetëm prisni e shikoni se çfarë do të bëjmë”, shprehet Aurela Gaçe.
“Duke qenë se Miriami ishte në projektet e saj, dhe ne ishim në dëshirën për të ndryshuar një nga trajnerët, atëherë ishim në një linjë e përbashkët. Padyshim do të shkonim drejt zgjedhjes së një këngëtareje si Aurela, që sot lëvron shumë zhanre, e konfirmuar në tregun shqiptar.Aurela ka një përshtatje me të gjithë ekipin, është shumë karizmatike në skenë, në performancat e saj që është element shumë i nevojshëm edhe si element televiziv”, thotë Rezart Aga, autor i programit.
“Kemi dashur që në fillim të këtij edicioni, ta shpengojmë paksa sidomos për katër trajnerët që për pesë javë më radhë do të kenë një punë dhe përgjegjësi shumë të madhe, ndaj edhe me spotin kemi dashur t’i bëjmë të ndihen pak rehat dhe të shpenguar. Pesë javët e para janë cfilitëse për trajnerët, për gjithë stafin, për mua gjithashtu, sepse duhet të kalojmë nga një gjendjë dëshpërimi dhe keqardhje për dikë që ndalon në këtë etapë të show-t, tek një gjendje euforie dhe shumë gëzim për atë që do të vazhdojë të jetë pjesë e ‘The Voice'”, thotë prezantuesi Ledion Lico.
Ndër risitë e këtij edicioni, test edhe për vetë trajnerët.
“Jemi ne dhe Hollanda që po e përdorim këtë risi, ku trajnerët do të vendosen përballë një situate “blind to blind”. Trajnerët tashmë do të duhet disa herë të vendosen në një situatë që edhe pasi të kthehen nuk e shohin këngëtarin. Do t’u duhet që sipas zërit të gjejnë stilin e këngëtarit, moshën dhe elemente të tjera fizike. Kjo do të bëjë që ata të kuptojnë me profesionalizmin e tyre, sa arrijnë që me anë të materialit të përzgjedhur dhe zërit të përcaktojnë konkurrentin”, thotë Aga.
Nje pjese e mire e repertorit te kengeve, do te jete shqiptar, ndersa pjesemarresit do te jene nga te gjitha trevat shqipfolese.
“Edhe edicioni i tretë përpos përvojës për secilin prej nesh do të ketë shumë emocione, shumë lot, shumë gëzim dhe do të na bëjë bashkë prapë në familje, pas kaq kohësh, që besoj është e rëndësishme”, thotë prezantuesi Ledion Liço. /tch/