Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 13:43

Paris – Dritat sot do të fiken për një orë në qindra vende simbolike mbarë botën në kuadër të iniciativës “Ora e Tokës”, e cila ka për qëllim ta tërheq vëmendjen ndaj luftës kundër ngrohjes globale.

Nga Australia deri në Amerikë dhe nga Azia deri në Evropë dhe Afrikë ndërtesat dhe monumentet më të njohura – Opera në Sidnej, Jezu Krishti Shpëtimtari në Rio-de-Zhanejro, Empajr stejt billding në Nju-Jork dhe Kulla e Ajfellit në Paris, do të zhyten në errësirë në orën 20,30 sipas kohës lokale.

Në Sidnei dhe qytete të tjera pjesëmarrësit në numrin më të madh të ngjarjeve në kuadër të aksionit do t’u japin nderime me një minut heshtje viktimave të 11 marsit nga tërmeti katastrofik dhe cunami në Japoni.

“Ora e Tokës” është thirrje globale deri tek individët, kompanitë dhe çdo bashkësi shoqërore që të ndërmarrë përgjegjësi dhe të kyçet në aksionin për kursimin e energjisë dhe ruajtjen e resurseve energjetike, e me këtë edhe të së ardhmes së përbashkët.

Iniciativa globale filloi në Sidnei në vitin 2007, kur 2,2 milionë familje dhe ndërmarrje i fikën dritat për një orë, ndërsa dy vite më vonë kjo ngjarje u bë edhe lëvizje botërore me miliona pjesëmarrës në 92 vende.

Aksionin, në të cilin sivjet do të marrin pjesë më shumë se 6.000 qytete nga 134 shtete,  e organizon Fondi botëror për natyrë.

Për “Orën e Tokës” ndriçimi i parë do të shkyçet në Fixhi, ndërsa më pas në Zelandën e Re.