Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 16:40

Thotë se me lindjen e vajzës, Annës, është bërë më e kujdesshme në përzgjedhjen e koncerteve, siç pohon nga ana tjetër, se njerëzit për të cilën mendon menjëherë pas mbrëmjeve ‘live’, janë e bija dhe bashkëshorti Mirko. Soni Malaj, ylli i muzikës shqiptare rrëfen në këtë intervistë për suplementin “Bluetooth” të rejat e jetës private dhe profesionale. Nga vera e koncerteve të ndërthurura me pushime, tek bashkëpunimi e menaxhimi i Aldo Bardhit, konkurrentit të saj në “X Factor 2”. Zhvillimet e orës së fundit në jetën e artistes ‘hit’, që mungoi për dy vite, e që me këtë rikthim provoi se skena ka nevojë për të.

Si ka nisur kjo verë për ty Soni?
Pse, ka ardhur stina e verës?! (qesh) Kjo verë ka nisur mirë, me shumë projekte. Më lejo të përshëndes të gjithë lexuesit e ‘Bluetooth’ dhe të gjithë redaksinë e “Gazeta Shqiptare”, pasi u bënë ca kohë që nuk kam dhënë intervistë për ju (buzëqesh).

Ke pushuar ndopak?
Kam përfituar nga ditët ndërmjet koncerteve për të pushuar pak me Mirkon dhe vajzën.
Cilat vende preferoni zakonisht për të bërë pushime?
Kemi qenë në Venezia, por edhe në jug të Shqipërisë.

U je rikthyer fuqishëm koncerteve; si të priti publiku yt?
Më priti vërtet shumë mirë, ndoshta edhe pse u kam dhënë një dimension tjetër performancave të mia. Koncertet po i bëj me dy instrumentistë të shkëlqyer, të cilët janë edhe miq të vjetër që nga hapat e parë të karrierës sime. Ata janë Brikel Guga, saksofonisti i grupit tonë të parë “Spirit Voice”, dhe në tastierë, kompozitori, orkestruesi dhe këngëtari Sajmir Çili. Jemi një grup fantastik (qesh).

Të kishte marrë malli për këtë axhendën e ngjeshur?
Në fakt më kishte marrë pak malli, por tani jam nënë e një vajze një vjeç e gjysmë dhe nuk mund të ndjek të njëjtën axhendë. Po bëj një përzgjedhje mjaft të kujdesshme të koncerteve.

Me Annën si ia bën, e merr me vete?
Jo, Annën nuk e marr me vete. Unë mbaroj koncertet dhe vrapoj tek ajo dhe Mirko.

A ju kërkon ajo, ty edhe Mirkon?
Anna ka një zakon që, edhe kur jemi aty, gjithë kohës thërret “mami, babi” (qesh).

Marrëdhënia juaj po shkon shkëlqyeshëm besoj, edhe pse larg?
Jo dhe aq larg, se distanca Romë-Tiranë është vetëm një orë larg. Ne diskutojmë çdo gjë bashkë dhe vendimet i marrim bashkërisht, e respektojmë pafund njëri-tjetrin… Kjo është arsyeja e ecurisë së marrëdhënies sonë.

Sa shpesh takoheni?
Shumë shpesh! Dashuria na bën të mos rrimë dot për një kohë të gjatë larg njëri-tjetrit.
Vazhdon të ruash format perfekte; do të na e tregosh sekretin?

Faleminderit! Shpenzoj kohë në palestrën time të dashur “Fitness Practica”. Profesorët Vullneti dhe Brusi e kanë me shumë merak formën time trupore dhe gjatë gjithë kohës merren me programin e stërvitjes sime, duke filluar që nga ushqimi.
Ndërkohë duke iu rikthyer muzikës, pritet që shumë shpejt të publikosh hitin tënd të verës, në bashkëpunim me Aldon… Me kë ke bashkëpunuar dhe sa komod është për ty roli i menaxheres?

Unë e kam thënë që në ‘X Factor’, që në pamundësi për t’i marrë të gjithë çunat në menaxhim, do merrja atë që do t’i afrohej më së shumti çmimit të madh. Ai ishte Aldo dhe ja tani është nën menaxhimin tim, jo vetëm në sajë të talentit të tij të padiskutueshëm, por edhe të përkushtimit me seriozitet në punë. Po ashtu edhe falë respektit që tregon ndaj meje, Aldo ma bën menaxhimin e tij shumë më të thjeshtë. Kënga është një kompozim i Vig Popa dhe Big Bang, dy djem shumë të talentuar dhe me një botë artistike të madhe.

Është i vështirë menaxhimi i karrierës për një këngëtar të ri? Po e bën këtë ngaqë vetë e ke pasur të vështirë, apo ka ndonjë arsye tjetër?

Në rastin tim jo dhe aq shumë; jo vetëm për të gjitha cilësitë e Aldos që përmenda më sipër, por edhe sepse këtë rrugë e kam bërë njëherë vetë, kur ishte e pashtruar. Kam mësuar nga gabimet e mia, ndaj me Aldon do të mundohem që gabimet të jenë sa më të pakta dhe sa më të vogla. Do të jesh edhe këtë vit pjesë e “X Factor”?
Po, do të jem edhe sivjet pjesë e jurisë së “X Factor” dhe do të kem një kategori mjaft interesante.
Përfundimisht vendose të jetosh me ne (në Shqipëri)?
Unë vazhdoj të jetoj mes Italisë dhe Shqipërisë.