Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 09:20

Ka qenë padyshim një dashuri me shikim të parë. Një ndjesi që nuk është vonuar, por i ka hedhur të dy në krahët e njëri-tjetrit, jo vetëm për të kërcyer, por edhe për t’u “rebeluar” në magjinë e dashurisë. Ajo që fillimisht komentohej si një thashethem i kapërceu kufijtë e një lidhjeje të fshehtë, përkundrazi pa u mbyllur mirë spektakli ku edhe u njohën “Dancing with the Stars”, ata zyrtarizuan marrëdhënien e tyre në fejesë. E pra, këngëtarja Soni Malaj është fejuar me partnerin e saj, balerinin italian Mirko. Shkëndijat e të dyve gjatë atyre provave ranë në sytë e të gjithëve, ndërkaq çifti nuk e mohoi asnjë çast atë që ndjente para të gjithëve.

Ajo vijon të mbetet këngëtarja më e dashur për shqiptarët. Ndonëse prej një viti i mungon skenave të festivaleve e spektakleve muzikore, këngët e saj vijojnë të dëgjohen e pëlqehen shumë nga publiku. Ajo aktualisht është duke zhvilluar jetën e saj përkrah të fejuarit, Mirko, në Spanjë. Çifti simpatik i showbiz-it janë kthyer në sipërmarrës dhe mësohet të kenë ngritur një biznes që po ecën shumë mirë. Ndonëse ky largim nga skena u mendua se erdhi si pasojë e një pushimi për të cilën këngëtarja kishte nevojë, nga të rejat rezulton se ёshtё ajo që kujdeset për mbarëvajtjen e biznesit. Bashkëjetesa me Mirkon po shkon për mrekulli dhe gjasat janë shumë të mira për një martesë mes çiftit. Sa i përket karrierës muzikore, shumë shpejt do të vijë bashkëpunimi i këngëtares me një grup të njohur kosovar dhe ka shumë mundësi që Sonin ta kemi në Shqipëri, për të marrë pjesë në koncertet gjatë fushatës elektorale. Një tjetër surprizë e këngëtares është se ajo mund të shndërrohet në imazhin e kompanisë “ American Cola” për Kosovën. Ndonëse ende është duke e shqyrtuar ofertën, Soni ka gjasa të kthehet në fytyrën përfaqësuese të kësaj pijeje.