Lajme Shqip Thursday, 02 August 2012 10:52

Shpesh-herë na duket sikur nuk dimë të kujdesemi për lëkurën e fytyrës ashtu siç duhet. Ju ka ndodhur të zgjoheni nga gjumi dhe të gjeni një akne të madhe në gushë ose afër buzëve? Lajmi i mirë është se ka shumë mënyra për të parandaluar këto probleme në lëkurën tuaj.

Aknet në fytyrën tuaj fillojnë të shfaqen kur poret në lëkurë bllokohen dhe lëkura yndyroset. Aknet shfaqen në periudhën e pubertetit, kur hormonet shpërthejnë dhe bëjnë që në lëkurën tuaj të shfaqen puçrra. Këto puçrra shfaqen kryesisht në pjesën e ballit, të hundës, të mjekrës, sepse këto pjesë janë kryesisht të ndjeshme.

Ja disa këshilla që do t’ju paraqesim si të kujdeseni për lëkurën tuaj!

Lajeni fytyrën tuaj 2 herë në ditë me ujë të vakët dhe me sapun të butë. Masazhojeni fytyrën tuaj butësisht në mënyrë rrethore. Mos filloni t’i ngacmoni puçrrat sepse do të ashpërsoni lëkurën tuaj. Pasi të pastroni fytyrën me ujë, Akademia e Dermatologjisë Amerikane ju rekomandon përdorimin e një locioni të përbërë nga peroksid benzoili, i cili do të pakësojë yndyrën  dhe do ta pastrojë lëkurën tuaj.

Nëse vëreni një akne para një rasti shumë të rëndësishëm për ju, do t’ju këshillonim që të vizitoni një dermatolog dhe të mos i acaroni vetë në kushte shtëpiake, sepse lëkura juaj do të acarohej shumë dhe do mbetej me shenja. Mos e prekni me gishta lëkurën tuaj kur keni akne, as me ndonjë objekt të cilin e përdorni për t’i pastruar ato. Mos aplikoni ndonjë lëng djegës me qëllimin për t’i dezinfektuar sepse ai mund t’i përkeqësojë ato.

Mbajeni fytyrën tuaj të pastër nga makijazhi dhe për disa kohë mos aplikoni produkte kozmetike, vetëm ndonjë krem që është për rigjenerimin e lëkurës. Gjithashtu mundohuni që të mbani të pastër lëkurën nga yndyra, sidomos tek pjesa rreth syrit, tek hundët dhe tek gusha.

Nëse i përdorni shumë syzet, atëherë mundohuni që t’i pastroni sa më shpesh ato për të shmangur bakteret në poret rreth syve tuaj. Nëse keni akne në lëkurën e trupit tuaj, atëherë mos vishni rroba të ngushta sepse ato ndalojnë qarkullimin e ajrit dhe mundë të shkaktojë irritimin e lëkurës. Shallërat, dorezat dhe kapelat duhen pastruar shpesh pasi ato mbledhin baktere dhe yndyrë.

Pastrojeni fytyrën tuaj nga makijazhi përpara se të bini të flini; gjithashtu duhet të përdorni produkte pastruese të markës ‘nonocomedogenic’ dhe ‘nonacnegenic’. Hidhni tutje ato produkte të cilat nuk duken të mira ashtu siç i keni blerë në fillim.

Mbrojeni lëkurën tuaj nga rrezet e diellit duke aplikuar maska nga më të shëndetshmet. Rrezet e tepërta mund të dëmtojnë rëndë lëkurën tuaj, sidomos nëse keni akne, lëkura juaj mund të pësojë rrudhosje ose kancer.

Nëse jeni të shqetësuara për puçrrat që keni në fytyrë, gjëja më e mirë që mund  të bëni është të këshilloheni me një dermatolog i cili mund t’ju ndihmojë me një gamë të gjerë trajtimesh për lëkurën tuaj. Një doktor do të gjejë kurën e duhur për ju, si dhe do t’ju këshillojë në mënyrë të dobishme si të kujdeseni për veten dhe aknet. (LajmeShqip.com)