Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 14:27

Tiranë – Shqipëria ka 850 lloje bimësh mjekësore, ku më të njohurat janë ato që përdoren në formë çaji për të lehtësuar disa nga dhimbjet që ndiejmë në trup.

Nuk ka asnjë familje shqiptare që të mos përdorë çajin e malit dhe rigonin, të cilat janë dy bimë që kanë efekt kurativ për ftohjen, por edhe për organet e brendshme, shkruan ‘Shekulli’. Por, ato gati po zhduken sepse nuk kultivohen dhe zëvendësohen me preparate të tjera.

Përveç këtyre dy bimëve ka mjaft bimë të tjera, të cilat kanë efekt kurativ, por që nuk përdoren më në familjet shqiptare. Efekti kurues dhe mospasja e efekteve anësore bën që specialistët e shëndetësisë dhe të mjekësisë alternative të kërkojnë rikthimin e vlerave të dikurshme për përdorimin në familje të bimëve mjekësore.

Në Shqipëri këto bimë mblidhen në gjendje të egër, të rritura në natyrë dhe të mbledhura në male apo fusha. Ne nuk kemi kulturë të mbjelljes dhe kultivimit të tyre për shkak se nuk kemi fabrika të përpunimit dhe kthimit të tyre në tableta. Prandaj, ato mblidhen nga fshatarët. (LajmeShqip.com)