Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 17:46

Tiranë – Dy prej lojtarëve të kombëtares shqiptare të futbollit janë përfshirë në fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e Aris të Selanikut, Kristi Vangjeli dhe për sulmuesin e Rapidit të Vjenës, Hamdi Salihi.

Kristi Vangjeli, zbarkoi në Korçë për fushatën elektorale në prag të zgjedhjeve lokale, ku do të mbështesë mikun e tij, Blendi Shkëmbi, një ish-kuqezi, aktualisht lojtar i Skënderbeut, i cili është përfshirë në garën politike për t’u bërë anëtar i këshillit bashkiak të qytetit juglindor. Vangjeli do të pjesë e fushatës elektorale të Shkëmbit.

Ky i fundit do të kandidojë për anëtar të këshillit bashkiak të qytetit, ndërsa mban numrin 4 në listën zyrtare të Partisë Demokratike. Me këtë renditje, mesfushori e ka të garantuar futjen në këshill, por megjithatë ai duket se do të jetë aktiv në fushatë. Ndaj, ka vendosur që bashkë me të, të jetë dhe një tjetër futbollist i njohur si Vangjeli.

Lojtari që jeton bashkë me familjen e tij në qytetin grek të Selanikut do ta bëjë shumë shpesh rrugën Korçë-Selanik e anasjelltas, për t’iu thënë qytetarëve të Korçës se duhet të mbështesin një futbollist për të përfaqësuar interesat e tyre brenda dhe jashtë futbollit në parlamentin e ri të qytetit.

Ndërkohë, dje në çeljen e fushatës për zgjedhjet lokale në Shkodër nga ana e PD-së ka qenë edhe sulmuesi shkodran Hamdi Salihi. Ai ka thënë se “kjo parti me në krye kapiten Berishën do ta fitojë këtë betejë zgjedhore”.  Nuk ka munguar edhe batuta e Kryeministrit Berisha, i cili duke iu drejtuar Salihit, ka thënë “goli i radhës do të jetë i Saliut tjetër”, duke nënkuptuar veten e tij.

Ndërkohë, nuk mungojnë kandidaturat në këto zgjedhje lokale edhe të ish- futbollistëve. Kështu, në Tiranë konkurrojne për dy minibashki, ish-sulmuesi i Tiranës, Indrit Fortuzi, i cili konkurron nën sigëln e PD-së dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në njësinë bashkiake 9 në Tiranë dhe ish-kapiteni i Tiranës, Krenar Alimehmeti, i cili konkurron në njësinë bashkiake 7, nën siglën e PDIU-së dhe koalicionit  “Aleanca për Qytetarin”.