Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:35

Jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë të buzëqeshur, ndërsa notat që luan në piano të bëjnë të mendosh se ai nuk mund të përfytyrohet pa muzikën. Fatkeqësisht, këto ditë ai është i heshtur, ndërsa në këto raste kupton se sëmundja ndonjëherë nuk i “fal” edhe këta njerëz. Ti mendon se ata janë imunizuar nga kjo dhe se gjithmonë janë të destinuar të kënaqin publikun. Por jo! Pamja e dhomës nr.3 në Shërbimin e Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të bën ta kuptosh mirë këtë. Kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi rri shtrirë në shtrat, ndërsa rreth tij qëndrojnë familjarët. Është bashkëshortja e tij, Mira Konçi dhe motra e kompozitorit të mirënjohur. Ai vetë duket mirë, ndonëse është në gjumë. Ndërkohë që bashkëshortja na konfirmon se tashmë gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet. “Tani është më mirë. Është stabilizuar dhe është përmirësuar”, – shprehet bashkëshortja, shkruan Gazeta Shqiptare.
Në fakt, këmbëngul të mos shkruajmë asgjë, por interesi i publikut në këto raste është më i fuqishëm. Të gjithë pyesin për shëndetin e kompozitorit, ndërsa me shpresë presin një përgjigje pozitive.