Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 14:34

Një ndër yjet e muzikës botërore ka shkelur në Kolumbi, në vendlindjen e saj për të nderuar një mësues meksikan i cili i qetësoi nxënësit e tij gjatë një shkëmbimi zjarri nëpërmjet këngës.

Kolumbiania shkeli tokën e saj këtë herë jo për një koncert, por për të vënë në qendër të vëmendjes edhe një herë misionin e saj humanitar, duke marrë pjesë në një sërë eventesh bamirësie, përfshirë edhe drekën “Primero lo Primero”.

E pritur nga zonja e parë e Kolumbisë, Maria Clemencia Rodriguez, Shakira i jep ndihmë nëpërmjet fondacionit të saj rreth 6 mijë fëmijëve nga 0-5 vjeç. Puna e fondacionit humanitar të këngëtares është e përqendruar në 13 qendra të rëndësishme në Amerikën e Jugut.

“Këta 6200 fëmijë mund të përfitojnë nga cilësia e edukimit, vëmendje deri në moshën 6 vjeçare sepse ne mendojmë që kjo fazë e fëmijërisë është vendimtare për atë që do të jetë një njeri në jetën e tij”, ka theksuar Shakira në fjalën e saj.

Shakira ka prezantuar edhe çmimet ALAS-BID, që jepen nga Banka e Zhvillimit dhe fondacioni i saj “ALAS”, i cili promovon dhe ndihmon për një fëmijëri të shëndetshme.

Çmimi për edukuesin më të mirë të vitit ju dha mësueses meksikane Martha Ivette Rivera Alanis . Pas marrjes së këtij çmimi, mësuesja është shprehur: “Për të shmangur dhunën na nevojitet edukimi”.

Artistja do të ndalet edhe në qytetin e saj të lindjes, Barranquilla përpara se të marrë pjesë në Samitin Amerikan që do të mbahet në Kartagjenë këtë fundjavë, ku ajo do të këndojë hymin kombëtar të Kolumbisë në çeljen e këtij samiti. Ajo do të takohet zyrtarisht edhe me presidentin e SHBA-së, Barack Obama dhe atë kolumbian, Juan Manuel Santos më 15 Prill.