Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 11:03

Prishtinë – Aty dikur kanë inçizuar këngët e tyre “The Beatles”, Frank Sinatra, Ray Charles, e shumë të tjerë. Lady Gaga në ditët e sotme është njëra prej yjeve që regjistron po në atë vend. E prej ditës së martë, listës i është bashkuar edhe Rona Nishliu.

Fituesja e edicionit të 50-të, në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, bashkë me kompozitorin Florent Boshnjaku kanë mbërritur në Los Angeles për të inçizuar këngën “Suus”. “Capitol Records” dhe “Oceanway Recording” janë dy studiot që për dhjetë ditë do të jenë në përkujdesje të ekipit shqiptar.

“Parimisht besoj që asgjë në botë nuk është e përkryer dhe që e mira nuk ka kufij,” ka thënë Rona në një bisedë telefonike. “Kënga është shumë specifike dhe ne po përpiqemi për një nivel sa më të mirë të inçizimit të saj”. Ajo thotë se ekipi është shumë i përkushtuar dhe profesional.

Kompozitori Florent Boshnjaku, që ka thurur notat për këngën “Suus”, inçizimin në dy studiot me renome botërore, e ka cilësuar si përparësi shumë të madhe. Sivjet “Eurovisioni” do të mbahet në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit.

“Për dhjetë ditë duhet të përfundojë regjistrimi i këngës, ndërkohë kemi marrë orkestrën dhe gjithçka që do të inçizohet live,” ka thënë Boshnjaku.

Udhëtimin për në Los Angelos e ka mundësuar Radiotelevizioni Shqiptar, ndërsa kontaktet me studiot i ka bërë të mundshme kompozitori Aldo Shllaku, i cili ka qenë njëkohësisht anëtar i jurisë kur Rona ka fituar.