”Fenomeni” Rita Ora rikthehet të fitojë faqet e para të shtypit britanik, nëpërmjet realizimit të një videoklipi të ri.
E lindur në Kosovë, Rita Sahatçiu, e njohur me emrin e artit si Rita Ora, ka fituar më parë vendin e parë në klasifikimin e këngëve në Britani nëpërmjet “Hot Right Now”, një këngë e suksesshme e parë mbi 17 milionë herë në “Youtube”.
Midis bashkëpunimeve që kanë lëshuar fenomenin shqiptar, e krahasuar për nga pamja dhe zëri me Beyonce dhe Rihanna, spikat edhe ai me reperin Jay-Z.
Së fundmi, me një stil të ngjashëm me Gwen Stefani, Rita është vendosur në xhirimet e videoklipit të saj të ri, këngës “R.I.P”, një bashkëpunim me reperin anglez, Tinie Tempah. Kënga e re e kosovares do të hidhet në treg duke nisur nga data 6 maj.
21-vjeçarja lindi në Prishtinë, por u zhvendos me familjen e saj në Britani në moshën 1-vjeçare dhe që prej atëherë, ajo jeton në Londrën Perëndimore.