Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 16:28

Londër – Një studim i ri i kryer nga Universiteti Cambridge  ka konstatuar se burrat në të vërtetë bëhen më të lumtur nëse kryejnë punë shtëpie. Grindjet familjare pakësohen dhe niveli i përgjithshëm i lumturisë në shtëpi përmirësohet kur burrat angazhohen më shumë në kujdesin e shtëpisë, citonte studimi.

Ekipi i akademikëve ka bërë të ditur se ata kishin pritur të gjejnë përkeqësim të grindjeve familjare dhe rënie të mirëqenies së burrave, kur ata të kryejnë më shumë punë shtëpie. Por ata kanë raportuar se ndodh pikërisht e kundërta!

“Arsyeja mund të jetë për shkak se gjithnjë e më shumë burrat përkrahin barazinë gjinore dhe prandaj nuk ndihen rehat kur gratë merren me të gjitha punët e shtëpisë. Po ashtu, gratë janë duke u bërë gjithnjë e më shumë këmbëngulëse në shfaqjen e pakënaqësisë rreth dembelizmit të partnerëve të tyre”, shkruan në studim.

Rezultatet bien në kundërshtim me grupin e madh të hulumtimeve që sugjerojnë se me gjithë avancimin e grave në punë dhe karrierë, burrat vazhdojnë që pjesën më të madhe të punëve të shtëpisë t’ua lënë partnereve të tyre.

Studimi më i ri nga profesoresha në Universitetin e Cambridges, Jacqueline Scott, si dhe një ekip akademikësh, e ka bazuar pohimin e vet në rezultatet e “European Social Study”, një sondazh i financuar nga Brukseli që përfshin 30.000 veta në 34 shtete. Ata janë pyetur se sa kohë kalojnë për zierje, larje, pastrim, blerje dhe mirëmbajtje të shtëpisë.