Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 12:20

Thonë se kur një mashkull bëhet me familje, ai ndryshon për gjithnjë.
Kur meshkujt bëhen baballarë niveli i testosteronit ulet duke i bërë ata të jenë më të qetë dhe të vetëkontrollueshëm.

Shkencëtarët kanë zbuluar se atësia mund të përgjysmojë nivelin e testosteronit duke i bërë meshkujt që të bëjnë një jetë më familjare. Studimi ka zbuluar se kur meshkujt bëhen baballarë, trupi i tyre shtyp presionin e prodhimit të hormoneve seksuale, duke i bërë ata më të interesuar ndaj atësisë se sa ndaj konkurrencës gjinore apo flirtimeve.

Studimi u bazua mbi rastet e 600 meshkujve të moshës 20 vjeçare, përgjatë një periudhe 5 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe një e treta e tyre u bë me fëmijë për herë të parë. Dhe pikërisht ky grup filloi të kishte rënie të testosteronit në atë periudhë. Rënia më e madhe e testosteronit ndodhte në ata meshkuj që përkujdeseshin më shumë për fëmijët.

Drejtuesi i këtij studimi shkencor, profesor i andropologjisë në Universitetin Veriperëndimor, Christopher Kuzawa ka thënë: “Testosteroni nxit sjellje dhe tipare që e ndihmojnë një mashkull për të konkurruar për një partnere. Rritja e pasardhësit të tyre human është një përpjekje për të plotësuar nevojat e tyre dhe studimet tona kanë treguar se meshkujt baballarë janë biologjikisht të predispozuar për t’u përkushtuar.”

Më parë thuhej thjeshtë se baballarët kishin nivel testosteroni më të ulët se meshkujt beqarë, por ky studim për herë të parë tregon se është pikërisht atësia shkaktari që çon në uljen e nivelit të testosteronit.

Studiuesit matën nivelin e testosteronit të një grupi meshkujsh 20 vjeçar pa fëmijë. Pas 5 vitesh, në mënyrë të natyrshme meshkujve pa fëmijë ju ul niveli i testosteronit në 14%, ndërsa atyre që u bënë baballarë ju ul niveli i testosteronit me 34%.

Për ata me fëmijë me moshë nën 1 muaj ulja ishte 50% dhe qëndronte në shifra të afërta deri sa pasardhësi i tyre i kalonte dy vitet e para.

Studimet po vazhdojnë për të vërtetuar apo jo, nëse përkujdesja ndaj fëmijës do të ndikojë në mbajtjen e ulët të nivelit të testosteronit edhe në vitet e mëtejshme. (LajmeShqip.com)