Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 15:15

Mitch dhe Janis Winehouse janë prindërit e këngëtares së ndjerë, Amy Winehouse, që ndërroi jetë vitin e kaluar për shkak të problemeve të saj me drogën. Me të gjithë pasurinë e vajzës së tyre, ata ndërtuan një fondacion në emër të saj, për të ndihmuar njerëzit narkomanë dhe mbas kësaj kanë nisur edhe një projekt tjetër, për një qëllim mjaft të bukur.

Ata kanë caktuar një buxhet dedikuar një burse studimi për zbulimin e një “Amy të re” nga shkolla teatrale për të rinjtë  Sylvia, pikërisht ajo që zbuloi edhe Amyn kur ishte vetëm një vogëlushe 13-vjeçare.

Prindërit e saj janë mjaft të lumtur për realizimin e këtij projekti dhe shpresojnë që nga kërkimet e këtij konkursi të dalë një zë i talentuar po ashtu si Amy.

“Asgjë nuk do të na e kompensojë humbjen e Amyt, por kjo që po bëjmë është diçka vërtetë shumë e bukur. Na bën të ndjehemi mirë, një bursë në emër të saj të ndihmojë një talent që nuk ka mundësi financiare për të investuar për zhvillimin e talentit të tij. Kjo gjë do ta mbaj gjallë emrin e Amyt me një kujtim mjaft të bukur,” ka thënë babai i saj Mitch.

Shkolla e Sylvias, që e kishte mbyllur këtë aktivitet prej vitesh për shkak të mungesës së fondeve, është mjaft e lumtur që të rinisë këtë konkurs në zonën e tyre në emër të një ylli që doli pikërisht nga audienca e tyre. (LajmeShqip.com)