Lajme Shqip Monday, 17 August 2015 11:15

Një letër e shkruar nga Princi Charles më 1980 ka zbuluar se ai ishte i shqetësuar se do të ndahej nga Diana qysh para martesës me të.

Letra i ishte drejtuar Janet Jenkins, ish të dashurës së Princit para se të njoftohej me Dianën, transmeton Koha.net një shkrim të DailyMail. Janet ishte ndarë nga burri i saj dhe Princi i kishte shkruar për ta ngushëlluar duke e quajtur me fat që ajo “e kishte kuptuar gabimin me kohë dhe nuk kishte filluar të krijonte familje”.

Princi Charles kishte shkruar: “Të krijuarit e familjes dhe të bërit një gabim të tillë është diçka që më shqetëson shumë. Por më duhet të martohem sa më parë që edhe të tjerët të qetësohen”. Letra ishte shkruar 11 muaj para dasmës së Princit me Lady Diana, transmeton Koha.net.

Letra është vënë në shitje nga Alicia Carroll, një koleksioniste nga Los Angeles.

Princi Charles dhe Lady Diana ishin martuar në korrik të 1981, por janë ndarë më 1992 pasi kanë pasur probleme martesore, lidhje e cila ka përfunduar me shkurorëzim në vitin 1996. Një vit më pas Lady Diana vdiq në një aksident në Paris.