Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 14:32

Aventurat e Jack Sparrow, kapitenit të Piratëve të Karaibeve, janë prezantuar premierë botërore edhe në Tiranë.

Episodi i katërt i sagës, me titullin në shqip “Nëpër dete të trazuar”, është xhiruar në 3D dhe po shfaqet në Kinematë e Rrjetit “Imperial”.

“Rrjeti “Imperial” vijon me traditën për të sjellë premierat në kohë reale për publikun e kryeqytetit. Besoj se nga kjo javë gjithë publiku i kryeqytetit do të flasë për piratin e Karaibeve, për episodin e katërt të sagës i cili është hera e parë që prodhohet dhe vjen në formatin 3D”, është shprehur Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i “Imperial”.

Jack Sparrow, interpretuar nga Johhny Depp, në këtë aventurë të re ndërmerr një udhëtim për të gjetur “Burimin e rinisë”. Mes peripecirash, takon ish të dashurën e tij Angelica. Piratja e bukur interpretohet nga Penelope Cruz. Ky episod mban firmën e Rob Marshall, regjisori i filmit “Kujtimet e një gejshe”.

“Për t’i dhënë një hapësirë sa më të gjerë publikut, për ta shijuar këtë eveniment, kemi menduar që të jetë në të dyja sallat 3D të rrjetit “Imperial”, por dhe në kinematë e Sheratonit në formatin standard. Besoj se është një eveniment shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh se vjen në kohë reale si gjithë bota dhe kryesisht SHBA e shfaq siç e shfaqim ne sot”, tha Prifti.