Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 19:00

Boston – Personat të cilët gjatë ditës të paktën konsumojnë një lëng të gazuar dietal, janë në të njëjtin rrezik për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës sikurse edhe personat që konsumojnë lëngje të ‘thjeshta’ të gazuara me sheqer.

Në një hulumtim të ekspertëve amerikanë nga universiteti në Boston me rreth 9.000 persona, është vërtetuar se konsumimi i të gjitha llojeve të lëngjeve të gazuara shton mundësinë e zhvillimit të sindromit metabolik, në të cilin përfshihet shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i sheqerit, kolesterolit dhe triglicerideve në gjak. Për pasojë rezulton sëmundja kardiovaskulare.

Gjatë periudhës kohore prej tri viteve, aq sa edhe kishin zgjatur hulumtimet, rreziku te këta persona, pra që çdo ditë konsumojnë nga një pije të gazuar dietale, ishte rritur për rreth 44%.

Por, hulumtimet nuk ndalen me kaq, ekspertët paralajmërojnë studime të tjera, sepse numri i atyre që i konsumojnë këto lëngje sa vjen e rritet, e po ashtu edhe numri i vdekjeve si pasojë e sëmundjeve të zemrës.(LajmeShqip.com)