Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 16:55

Londër – Ajo ka qenë duke punuar prej vitesh për të nxjerrë një material që t’ia kalonte edhe albumit “Back To Black”. Dhe tani, disa muaj pas vdekjes së saj, po planifikohet për t’u publikuar albumi i saj i fshehtë. Albumi i saj do të quhet “Luanesha Amy Winehouse: Thesaret e Fshehura” dhe do të përmbajë thesare të fshehura, që janë regjistrime origjinale të saj.

Njëra prej këngëve flet për tradhtinë ndaj ish burrit të saj Blake Fielder-Civil, dhe një tjetër është e regjistruar kur këngëtarja ishte nën ndikimin e drogës. Albumi përfshin gjithashtu një duet me Tony Bennett, këngën jazz “Body And Soul”.

Babai i saj 60 vjeçar Mitch, është shprehur për tabloidin anglez “The Sun” duke thënë: “Kur fillova të gërmoja brenda këtyre materialeve filloi të më mbahej fryma nga emocioni. Kam shpenzuar aq shumë kohë duke i shkuar Amyt nga pas dhe duke i thënë se çfarë gjeniu ajo ishte!”

Ai ka treguar se familja e tyre nuk do të kishte dhënë aprovimin për publikim të këtyre materialeve në qoftë se ai nuk do të kishte qenë në nivelin albumeve të saj më të hershëm, si ai “Frank” në 2003-shin dhe “Back To Black” në 2006-ën. Producentët e saj Salaam Remi dhe Mark Ronson, duke dëgjuar materialet e saj kanë thënë: “Besoj se materiali që ajo ka lënë ka për të jetuar ndër vite. Në muzikën e saj ajo ka hyrë me mish dhe me shpirt dhe ka për të frymëzuar një brez të tërë.”

Këngëtarja Amy Winehouse u gjet e vdekur në shtratin e saj, në apartamentin në Camden të Londrës, të shtunën, më 23 korrik të këtij viti. Javën e kaluar dolën rezultatet e inspektimit mjeko-ligjor, të cilat treguan se niveli i alkoolit të gjetur në gjakun e saj, ishte pesë herë më shumë se niveli i lejueshëm.
Albumi i saj pritet të dalë në shitje gjatë muajit dhjetor. Çdo e ardhur prej tij do të shkoj për fondacionin “Amy Winehouse Foundation”. (LajmeShqip.com)