Lajme Shqip Monday, 30 July 2012 13:06

Djaloshi britanik 26-vjeçar, i cili la Londrën për të ndjekur të dashurën e tij në apartamentin e tyre në Los Anxhelos, mësohet të jetë sjellë mjaft çuditshëm 3 ditëve të fundit. Sipas burimeve të tabloidit anglez ‘The Sun’, ai ka evituar komunikimin me miqtë e tij dhe është parë nën shoqërinë e një vajze anonime. Vajza, e cila i ka bërë shoqëri gjatë një mbrëmje për të pirë alkool dhe për të folur pa rezerva, ka treguar se ai ndihej i çuditshëm me veten e tij pasi nuk kishte dëshirë të fliste me asnjë nga miqtë e tij dhe se nuk dinte çfarë të bënte me ngjarjet e rrufeshme të ditëve të fundit.

Miqtë e tij që kanë kërkuar ta takojnë ditët e fundit, e kanë pasur të pamundur pasi ai ka qenë gjithnjë i zënë duke luajtur gjithë ditën me video-games. Por këshillimi me një njeri të panjohur duket se i ka hapur dritaren për të parë më mirë, ose për të guxuar më shumë, pasi menjëherë pas asaj mbrëmjeje, ai është kthyer në shtëpinë e përbashkët me Kristen për të paketuar të gjitha rrobat e tij.

Furgoni i cili ka mbledhur plaçkat e Pattinson, është shenja më e qartë që Robert ka vendosur të mos e falë tradhtinë e të dashurës së tij me 41 vjeçarin Rupert Sanders, regjisorin e filmit ku ajo pak muaj më parë kishte interpretuar në “Snow White And The Huntsman”.

Kristen dhe Robert u njohën në skenën e sagës së famshme të vampirëve dhe konsideroheshin si një nga çiftet më solide të Hollivudit deri në momentin e zbulimit të tradhëtisë. Menjëherë si u bë publik flirtimi i Kristen me babain e dy fëmijëve si dhe i martuar me modelen Liberty Ross, ajo nxori një njoftim për shtypin duke thënë:

“Kërkojë thellësisht falje! Kjo ngjarje e gabuar ka dëmtuar gjënë më të rëndësishme në jetën time, personin të cilin e dua dhe respektoj më së shumti, Robin.”

Në muajin Nëntor do të mbahet premiera finale e filmit “Twilight”, ku të dy aktorëve ju është theksuar se prania e tyre në këtë ceremoni është e detyrueshme. (LajmeShqip.com)