Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 16:45

Tiranë – Osteoporoza mund të vihet re tek gratë e moshuara. Ndërkohë edhe pse nuk ka statistika për numrin e personave të prekur nga kjo sëmundje, përllogaritet që 25 % e të gjitha grave të moshuara mbi 60 vjeç kanë një problem të tillë, që pas një periudhe prej shumë vitesh rezulton në hollimin dhe dobësimin e kockave. Kjo, sipas mjekëve, mund të çojë deri në fraktura.

“Megjithëse nuk ka një mendim të vetëm lidhur me atë se çfarë e shkakton osteoporozën, duket se katër funksione luajnë rol në të, rënia e niveleve hormonale, mungesa e sasisë së përshtatshme të kalciumit në dietë, ekspozimi i pamjaftueshëm ndaj rrezeve të diellit, çka ndihmon trupin e njeriut të prodhojë vitaminën D, si dhe mungesa e aktivitetit”, sqaron Alban Ylli nga Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas tij, trajtimi i osteoporozës konsiston në mjekimet që synojnë të ndërpresin humbjen e mëtejshme të lëndës kockore. Meqenëse kalciumi dhe vitamina D mund të ngadalësojnë humbjen e lëndës kockore, shpesh mjekët këshillojnë marrjen e tabletave të kalciumit me vitamine D. Gjithashtu, mjekët këshillojnë edhe estrogjenin, hormon që  ndihmon gjithashtu ne ngadalësimin e humbjes kockore.

“Kërkimet shkencore janë të përqëndruara ne kombinimet e këtyre preparateve plus fluor, në shpresën e gjetjes së një mënyrë për të ndaluar humbjen kockore”, tha Ylli.

Në masat parandaluese përfshihen marrja e ushqimeve te pasura ne kalcium, mënjanimi i proteinave të tepruara dhe ushtrimet e rregullta fizike, të cilat stresojnë në mënyrë të moderuar shtyllën kurrizore dhe kockat e gjata të trupit.