Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 11:04

Këngëtarja kosovare, super e suksesshme, ka dhënë një intervistë për revistën ‘Summer’ tek e cila zbulon shumë detaje rreth karrierës së saj dhe marrëdhënieve shoqërore e private.

Nora renditet ndër ato këngëtare që çdo këngë e saja kthehet në hit dhe skena ndizet, sapo ngjitet ajo.

Megjithëse vera, për shumicën e njerëzve është periudhë pushimesh dhe relaksimi, për këngëtarët të cilët janë të angazhuar gjatë gjithë kohës me koncerte, është krejtësisht ndryshe.

Nora për momentin nuk është e angazhuar vetëm me planet për koncertet verore që do të mbajë brenda dhe jashtë Kosovës, por edhe me projektin e albumit të ri të saj.

Ajo  tregon se pavarësisht faktit se me shumë këngëtare të njohura ka shoqëri, madje i frekuenton edhe për ndonjë kafe, ajo preferon që ato t’i konsiderojë si rivale në muzikë. Edhe pse është e diplomuar si stiliste dhe realisht e mendon që në një të ardhme t’i përkushtohet edhe kësaj fushe, ajo nuk e mendon dot veten pa muzikën.

“Nuk do ta lija muzikën për asnjë arsye! Muzikën e dua aq shumë saqë nuk ma zëvendëson asnjë gjë. Ndaj do ta lë vetëm kur ajo të më lërë mua, kur unë të mos kem më çfarë të jap në muzikë”, ka thënë Nora.

Për jetën e saj private ajo me pak fjalë komenton se vazhdon të jetë në lidhje me Robertin, fakt për të cilin media e ka përfolur sikur janë ndarë. (LajmeShqip.com)