Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 11:09

Padyshim që hallouini është festa ku të gjithë duan të habisin me kostumet e tyre frikësuese. Siç bëjnë konkurrencë mbi tapetin e kuq hollivudian, VIP-at po ashtu kanë bërë garë edhe në këtë eveniment argëtues.

Por ndër gjithë të pranishmit, asnjëri nuk kishte shans që t’ia kalonte modeles së famshme Heidi Klum! 38 vjeçarja ishte veshur me një kostum prej trupi të përgatitur për autopsi nga mjekët, me fije nervore apo enë gjaku të dukshme në të gjithë trupin.


Bukuroshja Heidi Klum vendosi që të vishej si një trup i vdekur, dhe për këtë ka kaluar pjesën më të madhe të ditës duke u ngjyrosur mirë e mirë, për t’u siguruar që paraqitja e saj të dukej sa më reale. Ajo e kombinoi kostumin edhe me një palë proteza dhëmbësh të kalbura.

Duke folur rreth kostumit të saj, ajo ka thënë:
“Kostumi paraqet një trup të vdekur, me shtresën e parë të lëkurës të shqyer. Në një farë mënyre është trupi i njeriut i zhveshur nga lëkura. Të gjitha venat dhe gjaku, janë të dukshëm… Megjithatë, me një kostum të tillë nuk ndjehesh dhe aq lakuriq, pasi çdo gjë në trupin tënd është e shumëngjyrshme.”

Supermodelja gjermane i ka vënë në dijeni fansat e saj gjatë gjithë kohës duke postuar në Twitter fotografi përgatitëse për mbrëmjen.

Angazhimi i Heidi Klum në këtë event nuk është ndonjë çudi, pasi ajo e ndjek që prej 10 vitesh dhe çdo vit gjithnjë e më mirë. (LajmeShqip.com)