Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:45

Ndarja e çmimeve Grammy në Staples Center të Los Angeles filloi me një homazh për Whitney Houston, këngëtaren 48-vjeçare që u gjet e vdekur të premten në një hotel të Beverly Hills.

Adele ishte këngëtarja që triumfoi në mbrëmje duke fituar 6 çmime Grammy, mes të cilëve atë për këngën, singëllin dhe albumin e vitit me ‘Rolling in the Deep’, këngë që është pjesë e albumit ‘21’.

Këngëtarja britanike ka falenderuar mjekët që e operuan në kordat vokale duke i bërë të mundur ngjitjen sërish në skenë. Mbrëmjen e djeshme u pa qartë se mjekët kanë bërë një punë të shkëlqyer: zëri i Adele është rikthyer.

Në kategorinë “rock” dominon grupi Foo Fighters që me këngën e tyre ‘Walk’ marrin pesë çmime.

Fitues të tjerë (mbi 75 kategori për të cilët u ndanë çmime) ishin edhe Kanye West dhe Jay-Z në kategorinë “rap”; Lady Antebellum për albumin më të mirë “country” me ‘Own the Night’; Taylor Swift për këngën e saj ‘Mean’; Bon Iver si artisti i ri më i mirë.

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve Grammy u pasurua edhe nga performancat e artistëve si Paul McCartney, Rihanna, Chris Brown dhe Kelly Clarkson. (TCH)