Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 08:52

Ashtu si asnjëherë më parë, një shqiponjë thuajse e gdhendur në trupin e këngëtares Aurela Gaçe, (realizuar mjeshtërisht nga stilistja e mirënjohur Mirela Nurçe), është imazhi më i goditur në klipin e këngës “Feel the passion”, që do të përfaqësojë Shqipёrinё në Eurovizion. Pёrveç kёsaj do tё ketё edhe xhirime në vendet më të bukura të Shqipërisë, nga regjisori Albert Malltezi, apo filmime nga qielli dhe parashuta e Alket Islamit me dedikimin “Tifozat-kuq e zi”, si kartëvizita më e mirë e Shqipërisë në këtë konkurim të radhës, mes europianëve në Dusseldorf të Gjermanisë. Aurela, tashmë ka përfunduar klipin e këngës “Feel the passion”. Nё njё intervistё ajo ёshtё shprehur:

“Unë flas për klipin tim, nuk flas dot për klipet e tjera, pasi secila këngë ka pasur historinë e vet. Kënga ime ka një histori tjetër, flet për pasionin që unë kam për muzikën. Këtë pasion, unë dua ta ndaj me njerëzit dhe në këtë pikë unë ndihem universale, pasioni im është universal, pasi pasionin për muzikën mund ta ketë gjithkush. Por në të njëjtën kohë, unë jam shqiptare dhe vij nga një vend që është Shqipëria dhe jam munduar që përveç audios, që e kryem në Los Angelos, jemi munduar së bashku me kompaninë “Ministria e Komunikimit” dhe regjisorin Albert Malltezi, të nxjerrim bukuritë natyrore të Shqipërisë. Unë jam kjo që jam dhe kam këtë pasion për muzikën dhe këtë vend sepse jam rritur në këtë vend, jam e rrethuar nga këto bukuri. Kёshtu, klipi do të jetë edhe një lloj kartëvizite për Shqipërinë dhe bukuritë e saj, për të gjithë ata europianë që do ta shohin.”

 

Klipi konkurues i saj: http://www.youtube.com/watch?v=6aZvWN3hdZs