Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 17:26

Stokholm – Ekspozita udhëtuese e bendit “ABBA” do të ketë tani një vend të përhershëm në muzeun e ri i cili kryesisht i kushtohet kuartetit suedez që ka shitur rreth 400 milionë albume që nga viti 1970, kur ishte në piedestalin më të lartë të muzikës.

Ish-anëtari i këtij bendi, Bjorn Ulveus, tha se “ABBA the Museum” do të jetë pjesë e hollit të famës muzikore suedeze dhe do të inaugurohet në pranverë.

Në muze do të shfaqen kostume skenike, instrumentet dhe kujtime të tjera që vizitorët kanë pasur mundësi t’i shihnin në ekspozitën udhëtuese “ABBA World”, e cila përshkoi Evropën dhe Australinë në periudhën ndërmjet viteve 2009 dhe 2011.

Ulveus ka thënë që shpreson se të gjithë anëtarët e bendit do të marrin pjesë, por përjashtoi çdo mundësi për performancë të përbashkët. “Ne jemi bendi i vetëm me status të tillë që kurrë më nuk u ribashkua. Unë mendoj se kjo është ‘cool'”.

Sipas të së përditshmes suedeze “Dagens Nyheter”, Ulvaeus ka ofruar që të shërbejë si një garantues financiar për këtë vepër artistike dhe se muzeu është duke u ndërtuar me fonde private.

ABBA, një nga bendet më të njohura dhe më të qëndrueshmet të të gjitha kohërave, u formua në vitin 1970 dhe arriti famë pas fitores së garës së Eurovizionit të vitit 1974.(LajmeShqip.com)