Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 21:25

I ftuar nderi i edicionit të dytë të “Bridge Film Fest” në Mitrovicë, i cili nis sot, është aktori me origjinë nga Shkodra, pjesë e kinematografisë botërore, Marko Caka. Ai, sipas njoftimit, do të hapë zyrtarisht këtë festival.

Po kush është Marko Caka?

Marko Caka iku nga Shqipëria në Greqi në vitin 1991, ku vazhdoi studimet për gazetari pranë TVANT1. Ai mban mbi supe qindra evenimente të rendësishme të jetës politike, sociale, kulturore dhe sportive të Greqisë. Kriza ekonomike greke ishte një nga faktorët e largimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe atje çdo gjë lindi kur Marko Caka, gjatë intervistave me aktorë hollivudianë, ata i flisnin për pamjen e tij të pëlqyeshme dhe që për publikun do të kishte interes. Kështu nisën rolet e para të vogla duke vazhduar paralelisht dhe me kurse aktrimi. Për momentin përkushtimi i tij është në mësimet akademike të Kolegjit të Bronksit, sepse sipas tij ky studim do ta ndihmojë të marrë role kryesore, duke fituar nje aksent të kënaqshëm të gjuhës angleze, shumë i rëndësishëm për hyrjen në karakter të rolit. Tashmë jeta e tij është lidhur me kinematografinë amerikane.

Aktori me rrënjë nga Shkodra ka qenë pjesë e serisë holliwoodiane “Boardwalk Empire” me rolin e tij si gangster i viteve të 30-a dhe gjithashtu ka filluar bisedimet me regjisorin e njohur botëror, Stiven Spielberg. Ai ka interpretuar me disa aktore yje, si Patricia Arquette, Meryl Streep, Julia Roberts, Megan Fox, ndërsa një yll tjetër yll i Hollivudit, Carla Cugino, do të jetë pranë Marko Cakës, në filmin e madh “Wolves” (“Ujqit”), që pritet të dalë në kinematë botërore më 2016.

Caka ndihet krenar që si shqiptar brenda 9 muajsh është afër Top 10000 i starmeter IMDB, enti matës i vlerësimit të artistëve, aktorëve, këngëtarë, dhe filmave në rang botërore. Këtë vit merr pjesë në dy filma të mëdhenj si “Batman Superman : Dawn of Justice ” ne rolin e reporterit pranë, Ben Affleck, Amy Adams dhe në filmin “Money Monster” si i përzgjedhur special i aktorës së famshme, producentes Jodie Foster ku do të luajë një rol suportues pranë yjeve George Clooney e Julia Roberts. Rezumeja e tij brenda një viti, shënon 25 filma, një rekord i veçantë për një aktor të ri me role të vogla.

Caka thotë se është me fat që gjeti njerëzit e duhur dhe që është shumë i lumtur që punon me regjisorët më të famshëm të botës, si Steven Spielberg, Martin Scorsese, Zach Snyder, Christopher Nolan.