Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 14:02

Aktorja Marilyn Monroe edhe 50 vjet pas vdekjes mbetet një ndër yjet më të njohura të kinemasë në botë. Biondja e bukur, sex symboli i Hollivudit është përkujtuar nga fansat, miqtë e saj dhe familjarë në këtë 50-vjetor të shuarjes në  Los Angeles.

Ishte 5 gushti i 50 viteve më parë kur Monroe u gjet e pajetë në shtëpinë e saj, ndërsa këtë 5 Gusht, fansat dhe miqtë u bënë bashkë në memorialin e saj dhe lanë aty buqeta me lule, fotografi dhe letra në nderim të artistes që e adhuruan një jetë. Suzie Kennedy ka qenë një imitatore e Marilyn Monroe për 14 vjet me radhë, ka interpretuar role të saj dhe ka shijuar famën e Monroe-së.

Ajo e ka përshkruar këtë ‘in memoriam’ në nder të ikonës së kinemasë si ‘të hidhur po ashtu edhe të ëmbël’. ”Sot është një ditë e hidhur sepse është e trishtueshme që ajo ka vdekur në këtë ditë”, tha Kennedy. “Por është shumë bukur kur sheh kaq shumë njerëz të bërë bashkë në nderim të saj. Këta njerëz këtu tregojnë se e duan ende dhe dinë ta ruajnë kujtimin e saj. Do doja shumë në një mënyrë apo në një tjetër që ajo të mund të kuptonte se sa shumë e kanë dashur njerëzit”, ka thënë ndër të tjera Kennedy.

Një tjetër fanse e Monroe, prej viteve të rinisë së saj të hershme, Zaidee Brennan-Darby rrëfen: “Ndokujt mund t’i ngjajë e çuditshme, ama Monroe është gjithçka unë kam dashur të jem. Ajo është e bukur, seksi, është tepër sensuale dhe rrezaton bujari. Ajo ka gjithçka që një grua të jetë perfekte. Ndaj edhe e dua vërtet atë që ajo ka qenë”.

Greg Schreiner, president dhe një ndër themeluesit e “Marilyn Remembered” klubi i fansave më jetëgjatë në histori i cili organizoi edhe këtë ‘in memoriam’ të së dielës tha se nuk ka qenë vetëm bukuria e jashtëzakonshme e saj ajo që i ka bërë njerëzit ta duan.

“Ajo është unike, tepër speciale dhe kishte lindur për të qenë në ekran. Si ajo nuk ka mundur të jetë askush tjetër dhe me gjasë s’ka për të qenë asnjë grua tjetër e famshme. Njerëzit e kanë kuptuar se ç’ka qenë ajo dhe se çfarë na ka lënë pas, një trashëgimi të jashtëzakonshme, prandaj edhe e nderojnë e përulen në kujtim të saj”, ka thënë ndër të tjera Schreiner.

Aty ishte edhe fotografi George Barris i cili ka fokusuar imazhet e fundit të aktores përpara se ajo të ndërronte jetë. Këtë 1 qershor, Marilyn Monroe do të kishte festuar 86-vjetorin e saj të lindjes…nëse nuk do të kishte ndërruar jetë nga mbidoza më 5 gusht 1962 në shtëpinë e saj në Brentwood, kur ishte vetëm 36-vjeçe.