Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 13:07

Zagreb – Madonna do të mbajë koncert në Zagreb, ka qenë lajmi që ka pushtuar mediat kroate të martën. Ardhja e saj tashmë është konfirmuar. Ajo do të mbajë koncert në kryeqytetin kroat në kuadër të turneut botëror me të cilin promovon albumin se saj të ri, “MDNA”.

Sipas datave të koncerteve në ueb-faqen e saj zyrtare, Madonna do të duhej të mbante koncert në stadiumin Maksimir në Zagreb më 11 qershor. Me këtë janë vërtetuar thashethemet e shumta të muajve të fundit në lidhje me koncertin e saj në Kroaci.

Madonna do të nisë turneun e saj me koncertin në Tel-Aviv, ndërkohë që do të udhëtojë në 26 skena të ndryshme evropiane, duke përfshirë Londrën, Milanon e Berlinin, dhe pas kësaj do të niset për në Amerikën Veriore, ku po ashtu do të mbajë koncerte.

Prej aty do të niset për në Amerikën Jugore dhe udhëtimi i saj do të përfundojë në fillim të vitit 2013, në Australi. Gjatë të gjithë turneut ajo do të mbajë 90 koncerte, që është rekordi i saj personal për numrin e koncerteve në një turne.

Flitet se ky do të jetë turneu më fitimprurës në karrierën e saj. Në turnetë e fundit të saj në vitin 2008, gjatë të cilit u ndal edhe në Budva të Malit të Zi, ajo fitoi 408 milionë dollarë.