Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 06:53

Ai mund të konsiderohet si futbollisti më i dashur i shqiptarëve pas ndeshjes me Bjellorusinë, më 26 Mars.

Djali i futbollistit të famshëm gjakovar, Agim Cana, është bërë akoma më i dashur për tifozët e futbollit shqiptar mbas deklaratës që ka bërë mbas ndeshjes.

27 vjeçari me një eksperiencë shumë të mirë profesionale në Francë, Angli dhe Turqi, përpara 7 vitesh ka realizuar ëndrrën e tij duke ju bashkuar ekipit kombëtar të Shqipërisë. Një ëndërr që buron nga dashuria për atdheun, patriotizmin që ai thotë se gjithkush duhet ta ketë.

Mbas ndeshjes me Bjellorusinë, me një zë të çjerrë që shpërthente nga shpirti, ai me një mikrofon në dorë i drejtohej tifozëve kuq e zi: “Thuaji të gjithëve, nuk ndërrohet kombësia, nuk shitet shqiptaria!”, duke treguar tatuazhin e shqiponjës në krahun e tij.

Një deklaratë që i ka elektrizuar tifozët në stadium; i ka mbërthyr simpatizantët dhe patriotët përpara ekranit të kompjuterit, duke parë dhe riparë atë filmim që media franceze rastësisht e kishte filmuar. Komente pa fund janë shkruar për të. ‘Kapiten i përjetshëm i Shqipërisë… Legjenda e futbollit shqiptar… Krenaria jonë…’ etj.

Sigurisht një gjest shumë i bukur dhe një mesazh shumë real për të gjithë ata të rinj që luajnë me skuadra të njohura por që nuk i bashkohen kombëtares shqiptare.

Nëse nuk e keni parë këtë filmim, kërkojeni në YouTube dhe nuk do dini të shkëputeni nga ekrani.