Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 13:16

Los Angeles – Lindsay Lohan është shpallur fajtore për shkeljen e kushteve të provës pasi ka dështuar në ndjekjen e orëve të caktuara për të punuar në shtëpinë e strehimit ‘Shtëpia e Grave’.

Aktorja e shumëpërfolur Lindsay Lohan, 25 vjeçare, gjatë seancës së djeshme pranoi se kishte shkelur kushtet e provës së saj për liri, si pasojë e vjedhjes së një gjerdani të artë.
Gjyqtarja e rreptë Stephanie Sautner ka qenë mjaft e bindur për ta futur Lohan pas hekurave, sa as përgjërimet e avokates mbrojtëse të saj nuk kanë pasur efekt.


Avokatja e saj, Shawn Holley, ka insistuar që t’i jepet pak kohë, duke qenë se ajo kishte nënshkruar një kontratë me Playboy për të pozuar nudo kundrejt 1 milion dollarëve. Sipas burimeve të tabloidit US, Gjykata e Lartë i ka lënë asaj vetëm 1 javë kohë të lirë, deri të mërkurën e ardhshme, për të përfunduar çdo marrëveshje pune.

Pasi Lindsay Lohan të përfundojë dënimin e saj me burgim prej 30 ditësh, ajo menjëherë do të vazhdojë edhe 5 muaj të tjerë punë vullnetare për Komunitetin e Shërbimeve.

Lohanit më parë i ishin caktuar 480 orë shërbimi përgjatë vitit, disa prej të cilave i ka kaluar si pastruese pranë morgut si dënim për shkeljet e saj të mëparshme të kushteve të lirisë. Por dështimi i saj në ndjekjen korrekte të orëve pranë ‘Shtëpisë së Grave’ ka bërë që gjykata të mos e tolerojë më.

Asaj i është premtuar se do të ketë një qeli të sajën, dhe kjo për çështje sigurie. (LajmeShqip.com)