Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 18:02

Londër – Kur fëmijët kalojnë kohën jashtë, përbalten, lagen, kur i djeg apo regj hithi, ata mësojnë një mësim të rëndësishëm: e dinë se çfarë mund t’i lëndojë.

Prindërit do të duhej t’i lejonin fëmijët që lirisht të ngjiten në drunj dhe të luanin jashtë dhe nuk duhet të frikësohen nga mavijosjet dhe gërvishtjet, ka bërë të ditur ditë më parë Shoqata Mbretërore Britanike për parandalim të fatkeqësive (RoSPA). “Mësimet vitale të jetës” fëmijët i mësojnë kur u ekspozohen rreziqeve derisa luajnë në natyrë, ndërsa lëndimet të cilat i marrin gjatë lojës janë vetëm pjesë e rritjes, thuhet në raport.

Kjo porosi e shkencëtarëve ka pasuar pas publikimit të rezultateve të hulumtimit të bërë nga Shoqata Britanike për Fëmijë, e cila ka zbuluar se prindërit nuk i lejojnë fëmijët të luajnë jashtë, të pavarur, sepse frikësohen për sigurinë e tyre.

Rreth 43 për qind e prindërve të përfshirë në testim mendojnë se fëmijët më të vegjël se 14 vjet nuk guxojnë të luajnë pa mbikëqyrje, sepse mund të lëndohen ose të bien pre e pedofilëve. Hulumtimi thekson që ky qëndrim është i kuptueshëm, mirëpo kjo megjithatë ndikon në zhvillimin e fëmijës.

“Duhet të pyetemi se a është më mirë për fëmijën të bjerë nga druri e të thyejë kyçet e duarve, apo t’i lëndojë ato duke luajtur videolojëra deri në rraskapitje”, ka publikuar RoSPA. “Prindërit dhe fëmijët nuk duhet të frikësohen nga të luajturit jashtë”, ka thënë Peter Cornall nga RoSPA.

“Kur fëmijët kalojnë kohën jashtë, përbalten, lagen, kur i djeg hithi, ata mësojnë një mësim të rëndësishëm: e dinë çfarë mund t”i lëndojë, në çka mund të rrëshqasin e nga çka mund të bien”, përfundon RoSPA.