Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 18:15

Nju-Jork – Shkencëtarët nga Laboratori për hulumtime detare i SHBA-së (NRL) pohojnë që janë në prag të prodhimit masiv të lëndës djegëse për motorët reaktivë nga uji i detit. Teknologjia me të cilën dioksidi i karbonit dhe hidrogjeni i fituar nga uji do të shndërrohej në hidrokarbone që janë kyçe për prodhimin e lëndës djegëse, pra CO2 + H2 jep lëndën djegëse, e cila tashmë ka kaluar testet e para në Gjirin e Meksikës.

Arsyeja për këtë qëndron në faktin që aeroplan bartëset duhet të kenë furnizime të shpeshta me lëndë djegëse. Prandaj, që të mos ndodhë që për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit në ndonjë situatë të pavolitshme avionët luftarakë amerikanë të mbeten të paralizuar në sipërfaqen e detit, marina duhet të shpikë një mënyrë alternative të furnizimit me lëndë djegëse e cila do t’i bënte ata të lëvizshëm dhe të pavarur në detin e hapur.

Sipas një prej shkencëtarëve të angazhuar në këtë projekt, Heather Willauer, një tjetër gjë që i ka shtyrë që të punojnë në këtë projekt është edhe zvogëlimi i varësisë nga burimet e huaja të lëndës djegëse.

Pengesë për zbatimin e tij janë, natyrisht, shpenzimet – në momentet kur edhe buxheti ushtarak në SHBA duhet të përjetojë shkurtime, fakti që prodhimi i një galoni (3,78 litra) të kësaj lënde djegëse kushton 6 dollarë nuk është fare premtues. Kjo është dyfish më shtrenjtë se lënda djegëse tradicionale – që bazohet në kerozinë. (LajmeShqip.com)