Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 13:30

Lady Gaga duhet të anulojë koncertin e saj në Indonezi për shkak të kundërshtimeve nga ana e islamikëve ndaj performancës së divës së pop-it.

Një zëdhënës i policisë theksoi për AP se këngëtares nuk i është dhënë leja për koncertin ‘Born This Way’, i parashikuar në datën 3 qershor. Ky koncert do të ishte më i madhi i turit aziatik të Lady Gagës.

Promotori i turit, Michael Rusli, kishte shitur 52 mijë bileta, por nuk është prononcuar për këtë çështje.

Shumica e myslimanëve në Indonezi janë tolerantë, por kohët e fundit myslimanët radikalë kanë fituar terren. Disa grupe islamike kanë protestuar për veshjet provokuese të Gagës dhe kanë deklaruar se spektakli i saj do t’i bëj keq të rinjve.

“Do të shkatërrojë moralin e kombit. Ne myslimanët jemi të përgatitur për të ndaluar zhvillimin e koncertit”, deklaroi shefi i Frontit të Mbrojtjes së Islamit (FPI) për ‘The Yakarta Post’.

Në Korenë e Jugut koncertet e Lady Gaga u lejuan vetëm për personat mbi moshën 18 vjeç.