Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 11:36

Këngëtarja e famshme mbajti një koncert në Auckland të Zelandës së Re. Gjatë interpretimit të njërës prej këngëve, kur turma ishte ekzaltuar, këngëtarja goditet pa dashje me një tub hekuri në kokë nga një balerin i trupës së saj skenike.

Nga pamjet që qarkullojnë në internet duket qartë që goditja ka qenë e fortë. Megjithatë këngëtarja përfundoi këngën, më pas u shkëput nga skena për disa çaste për t’u rikthyer sërish.

“Duhet të më falni nëse bëj ndopak numra sonte. S’e di a e keni parë, por sapo përplasa kokën dhe mendoj se jam pak e çoroditur sonte. Ju mos u shqetësoni, spektaklin do ta përfundoj”, iu drejtua këngëtarja fansave, pak pas incidentit.

Ndërkohë, në Twitter, asistentja e Gaga-s, Tara Savelo siguroi të gjithë fansat se këngëtarja është mirë.

“Gaga ka një plagë, por është mirë. Dëshiron që ju ta dini se ju do shumë. Unë do të kujdesem për të. S’mund ta besoj që e përfundoi koncertin”, shkruan Savelo në rrjetin social.

Imazhet e regjistruara nga fansat po bëjnë xhiron në rrjete dhe forume të ndryshme në internet, ku të gjithë komplimentojnë Lady Gaga-n për “stoicizmin” e saj në skenë.