Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 09:00

Kujt do t’i drejtoheni për ndihmë kur keni telashe psikike? Në princip, mund të kërkohet ndihmë edhe nga psikologu edhe nga psikiatri, edhe njëri edhe tjetri merren me shëndetin mendor. Megjithatë, ekzistojnë ndryshime të rëndësishme mes këtyre dy profesioneve.

Se kujt do t’i drejtoheni për ndihmë, varet nga lloji i problemit dhe çrregullimit që keni, por edhe nga personi. Ndonjëherë problemi është i thjeshtë dhe që të evitohet mjafton një apo disa biseda me një person të kualifikuar që merret me psikoterapi apo këshillim. Mirëpo, problemi mund të jetë më serioz, dhe atëherë ndihmën e ofrojnë neuropsikiatri, në bashkëpunim me psikiatrin ose psikologun.

Psikiatri është mjek, person i cili së pari ka mbaruar fakultetin e Mjekësisë, dhe pastaj specializimin nga dega e psikiatrisë, shkenca e cila merret me sëmundjet mendore dhe me shërimin  tyre. Psikiatri punon në klinikë dhe shëron me medikamente dhe psikoterapi. Për dallim nga psikologu, psikiatri mund të përshkruaj ilaçe.

Psikologu nuk e ka përfunduar fakultetin e Mjekësisë por fakultetin Filozofik, dega e psikologjisë, e cila studion sjelljet e njerëzve dhe psikikën në pikëpamje të gjerë. Merret me aspekte të ndryshme të jetës, si për shembull: çfarë qëndrimi kemi, kujtesën, çfarë ndikon në sjelljet tona dhe vetitë e tjera. Vetëm një segment i saj, psikologjia klinike, merret me studimin dhe shërimin e çrregullimeve psikike duke ofruar ndihmë psikologjike. Psikologu mund të punojë në shkolla, kompani, institute dhe në spital.

Neuropsikiatrët gjithashtu janë mjekë, por ato janë të specializuar për neuropsikiatrinë, shkenca e cila përfshin edhe psikiatrin edhe neurologjinë, e cila merret me sëmundjet organike dhe funksionale të sistemit nervor. Ata punojnë nëpër spitale dhe klinika.

Kush nga këta është psikoterapeut?
Edhe psikologu, edhe psikiatri, edhe neuropsikiatri mund të bëhen psikoterapeut, nëse kryejnë edukim shtesë për këtë drejtim. (LajmeShqip.com)