Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 16:09

Nju-Jork- Këngëtari Paul McCartney, ish-anëtar i bendit legjendar “Beatles”, tha se Yoko Ono nuk është shkaktare për shpërbërjen e grupit.

McCartney në një intervistë me prezantuesin e famshëm britanik, David Frost, pjesë të së cilës u botuan në gazetën “The Guardian”, foli, ndër të tjera, në lidhje me marrëdhëniet e tij me Yoko Onon, bashkëshorten e ish-kolegut të tij, John Lennon.

Ai pranoi se nuk i pëlqente prania e Yokos në studio gjersa bendi regjistronte, por tha se ajo kishte disa efekte pozitive te Lennon. “Ajo me siguri nuk e ka shpërbërë bendin, grupi kishte rënë vetvetiu”, tha McCartney, për habinë e shumë adhuruesve të “The Beatles”, të cilët Yokon e kanë “urryer”, sepse mendonin se ajo ka qenë fajtorja kryesore për ndarjen e Lennonin nga pjesa tjetër e bendit britanik.

McCartney tha se Yoko Ono e ka dërguar Lennonin në drejtim të avangardës, pa të cilën ai nuk do të kishte shkruar këngë të tilla si “Imagine”.Muzikanti beson se “The Beatles” u ndanë në mënyrë të bukur, por për këtë shpërbërje ende është i zemëruar me të ndjerin, Allen Klein, biznesmenin i cili është dashur ta zëvendësonte me sukses Brian Epsteinin, në rolin e menaxherit të bendit.

“Kam pasur një grindje me tre djemtë e tjerë, të cilët për shumë vite i kisha shokë të shpirtit. U thash se dua të luftoj kundër Kleinit”, tha McCartney. Pas vdekjes së Brian Epstein, Klein bindi John Lennonin, George Harrisonin dhe Ringo Starin të nënshkruanin një kontratë me të, por këtë nuk e pranoi McCartney.

Bendi hyri në vështirësi të shumta financiare, për të cilat McCartney e fajëson Kleinin.Pas kolapsit të “The Beatles” në vitin 1970, Lennon, McCartney dhe Harrison arritën të kenë karriera të shquara si solo këngëtar, por e Lennonit zgjati vetëm deri në vitin 1980, pasi që u vra.(LajmeShqip.com)