Lajme Shqip Saturday, 12 September 2015 21:25

Dafina Zeqiri, Tuna, Elvana Gjata, Kida, Era Istrefi, Dhurata Dora, Enca, Ledri Vula, Getoar Selimi e Kaltrina Selimi janë disa nga këngëtarët që sollën projekte të reja muzikore gjatë ditëve më të nxehta të vitit. Por, në anën tjetër, disa emra të tjerë munguan dhe nuk u shfaqën fare.

Kështu, Express-i i KTV-së ka listuar disa prej këngëtarëve të cilëve nuk iu dëgjua zëri këtë sezon. Do ta nisim me këngëtaren e njohur, Adelina Ismaili. Këngëtarja, e cila prej vitesh po jeton në Zvicër, nuk prezantoi diçka të re, ashtu siç kishte bërë sezonet e kaluara të verës, siç kishte qenë hiti i saj “Ku ma ke”, për të cilin ajo kishte bashkëpunuar me kantautorin e njohur shqiptar, Ardit Gjebrea.

Gjithsesi, Ismaili, ashtu siç ka deklaruar shpesh, punon vazhdimisht për projekte të reja, disa prej të cilave i dedikohen edhe tregut të huaj. “Gjithçka do të vijë në kohën e duhur”, pat deklaruar kohë më parë për KTV-në. Ndryshe, “Karma” është projekti i fundit i Adelinës, një bashkëpunim ky me G4shi. Diçka të re nuk pati as nga çifti Alban Skënderaj e Miriam Cani. Vera pothuajse asnjëherë nuk ka shkuar pa diçka të re nga Albani. Kështu, vjet ai lansoi bashkëpunimin me Young Zerkën, dhe kënga e tyre “24 orë” nuk kishte se si të mos shndërrohej në hit.

Vjet, po shumë aktive ishte edhe Miriam Cani, e cila u dëgjua gjatë gjithë verës me hit-këngën, ‘Shiu im”. Duket se fakti që çifti është në pritje të fëmijës së parë ka bërë t’i përkushtohet më shumë kësaj pjese sesa muzikës. Miriami dhe Albani shpejt do të bëhen prindër të një vajze.

Megjithëse fansat e saj mund të kenë pritur ndonjë këngë dhe klip, edhe Leonora Jakupi nuk u prezantua me diçka të re. Për “Express Summer”, Leonora pat treguar se ka pasur këngë të re, por nuk ka mundur ta finalizojë me klip, për shkak të angazhimeve. Gjithsesi, këngëtarja e njohur është duke punuar rreth albumit të ri, ani pse ka vite që albumet nuk janë fare në trend në skenën tonë.

Duke mos dashur të japë shumë informacione, ajo çfarë ka treguar Leonora për albumin është se po punohet në studion e Don Arbasit dhe se ka edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë. “Për momentin, kaq mund të them, nuk dua të zbuloj më shumë”, kishte thënë Jakupi.

Kënga dhe klipi i fundit i Leonorës ishte “Ma ngat”, të cilën e solli ndryshe nga projektet e tjera, pasi për këtë këngë kishte bashkëpunuar me reperin Getoar Selimi. “Ma ngat” ishte një nga hitet e verës së vitit të kaluar.

Rikthimi i Leonora Poloskës nuk zgjati shumë. Në televizione, Leonora vjet solli këngën dhe klipin “Me neve”, në duet me B-Boy. U transmetua mjaft dhe u prit se Poloska tash e tutje do të ishte më aktive dhe u pa më pas edhe në Festivalin “Kënga Magjike”, por kaq.

Vera e këtij viti nuk na surprizoi me diçka të mirë nga Leonora, e cila është ndër këngëtaret shqiptare që veçohet për vokalin e saj dhe në karrierën e saj numërohen disa këngë të suksesshme si: “S’kam faj”, “Të dua, s’të dua”, “I panjohur”, “Do të digjesh”, etj.

Do të ndalemi edhe te motrat Koçi, Greta dhe Eni. Verën e shkuar, që të dyja ishin shumë aktive. Greta pat realizuar duetin “What’s up” me GBMC, që pat rezultuar si shumë i dëgjuar, e fat të njëjtë kishte pasur edhe motra e saj, Eni. “Motivi im” ishte projekti i saj veror. Por, ja që këtë verë, as njëra e as tjetra nuk solli diçka të re.

Ajo çfarë është vërejtur në verën e 2015-ës është mungesa e projekteve muzikore të zhanrit rok. Madje, nuk i pamë fare disa nga ta që zakonisht janë më aktivë, si: Jericho e Troja. Urojmë shumë që diçka e re nga këto grupe dhe këngëtarë të tjerë të këtij zhanri të vijnë në muajt në vazhdim.

Në anën tjetër, të vetmin që e pamë ishte rokeri BB Poqi, i cili u rikthye me albumin e ri, “Nr.5” dhe një klip të ri.

Të tjerë që munguan gjatë kësaj periudhe kohore janë MC Kresha, Eliza Hoxha, Vedat Ademi, Orinda Huta, Ronela Hajati, Rrezarta Shkurta etj.