Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 11:03

Më 8 maj, Kledi Kadiu, së bashku me regjisorin Alessandro Tresa, të shoqëruar edhe nga një gazetar e  fotograf, është nisur në drejtim të këtij shteti të varfër, në kuadër të fushatës jofitimprurëse “Unë si ti” tё udhёhequr nga UNICEF.

Atje ai do të qëndrojë 10 ditë me radhë jo vetëm në kryeqytetin e Bangladeshit,  Daka, por edhe në rrethina të këtij shteti të varfër për t’u përballur me një tjetër realitet, me emocione të forta, shpesh të përjetuara nga lotët në sytë e fëmijëve prej skamjes, mjerimit apo sëmundjes.

Duke qenë se e ka provuar në kurriz të tij ç’do të thotë “vështirësi”, “emigracion”, “vuajtje”, Kledi Kadiu ka rrëfyer gjithnjë me thjeshtësi rrugën e tij të vështirë, të një shqiptari në emigracion dhe është treguar i ndjeshëm ndaj temave të solidaritetit.

Me “UNICEF Italia”, balerini shqiptar është lidhur rastësisht, falë miqësisë me presidentin e saj, Vincenzo Spadafora. Për të sensibilizuar sa më shumë persona që e ndjekin në turnetë e tij nëpër Itali, shpesh në spektaklet e tij ka vënë edhe posterat e fushatave të ndryshme të UNICEF Italia, apo ka mbajtur veshur bluza me logon e organizatës.

“Unë e di ç’do të thotë të jesh i huaj, ndaj e bëj me kënaqësi një fushatë të tillë. Unë qё sot jam i njohur dhe i suksesshëm, e ndiej pёr detyrë të ofroj jo vetëm imazhin tim, por edhe ndihmë ekonomike për UNICEF-in, që aq shumë bën për fëmijët në të gjithë botën”, – ka thënë Kadiu.

Gjithashtu para disa vitesh, Kadiu ka qenë dëshmitar i UNAR, Zyrës Kombëtare Kundër Racizmit.