Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 15:00

Tajlandë – Në resortin Thai në Pattaya, 100 metra larg Bangkokut, ka nisur maratona e puthjes. Me buzë të ngjitura çiftet duhet të rrijnë më shumë se 2 ditë, për të thyer rekordin e fundit botëror që u vendos vjet. Kjo nuk është një puthje e mirëfilltë pasi gjatë kësaj kohe ata mund të hanë, të shkojnë edhe në tualet, por të gjitha duke i bërë sëbashku dhe pa i shkëputur buzët nga njëri-tjetri.

Maratona e 7 çifteve ka nisur ditën e djelë dhe do të zgjasë deri ditën e Shën Valentinit. Ata do të përpiqen të thyejnë rekordin prej 46 orësh e 24 minuta e 9 sekonda. Shënuesit e këtij rekordi ishin Lakkana Tiranarat, 31 vjeç, dhe burri i saj, të cilët i kanë hyrë sërish këtë vit kësaj maratone, me shpresën për të thyer vetë rekordin e tyre të vjetshëm.

Çiftet që janë të detyruar të qëndrojnë në një holl, secili prej tyre do të ketë në dispozicion një hapësirë prej 1 metër katror për të treguar dashurinë e tyre. Çifti që do të ketë fatin të thyejë këtë rekord botëror do të fitojë një unazë prej 3.333 dollarësh dhe një kupon hoteli me vlerë prej 6.400 dollarësh. (LajmeShqip.com)