Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 08:15

Ylli kinematografik Scarlett Johansson tashmë shkëlqen edhe në Bulevardin e Famës në Hollivud. Aktorja 27-vjeçare, që në kinema po debuton me filmin “The Avengers”, ka shprehur para gazetarëve të pranishëm lumturinë e saj për këtë ngjarje historike.

“Nuk ka rëndësi ajo që do të ndodhë në të ardhmen. Tani kam lënë shenjën dhe brezat e ardhshëm do të mund të më gjejnë këtu, në këtë copëz trotuari”, ka thënë Johansson.

“Jam shumë e emocionuar, jam në ambientin e kinemasë prej 20 vjetësh, kam aktruar që kur kam qenë fëmijë. Ky yll është për mua si një gur mijëvjeçari”, ka vijuar ajo.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kolegu i saj në filmin “The Avengers”, Jeremy Renner, që ka thënë disa fjalë për Johansson. “Të punoje me të ishte e tmerrshme. Më ka rrahur për muaj të tërë”, ka thënë me shaka aktori.

Kjo, pasi në filmin ku janë mbledhur të gjithë superheronjtë, Scarlett interpreton Vejushën e Zezë, një luftëtare e fortë dhe misterioze. Ylli i saj mban numrin 2470 në kategorinë e kinemasë.

Protagonistja e shumë filmave të Woody Allen, mes të cilëve “Vicky, Cristina, Barcelona” dhe “Scoop”, do të jetë Janet Leigh në filmin e Alfred Hitchcock dhe në “Making of Psycho”, ku do të interpretojë përkrah Anthony Hopkins.