Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 14:26

Së fundmi flitet përherë e më shpesh për një ribashkim të mundshëm të këngëtares Rihanna me ish-të dashurin e saj Chris Brown, i cili e shpërfytyroi atë teksa shkonin në ceremoninë e çmimeve Grammy vite më parë. Vetë këngëtarja deri më tani ka deklaruar vetëm se e ka falur atë, por nuk ka thënë asgjë sa i takon ribashkimit.

Është Jay-Z, mik i ngushtë i këngëtares dhe menaxher i saj, ai që publikisht ka shprehur miratimin e tij për rikthimin e çiftit, duke e cilësuar këtë si një gjë të mirë që mund t’i ndodhë Rihannës për sa kohë ish-partneri i saj ka deklaruar se vijon ta dojë njësoj. Madje mësohet se ai e ka këshilluar këngëtaren ta takojë Chris Brown-in dhe mediat raportojnë që vendi i takimit të tyre këto ditë të nxehta ka qenë një ndër vendet më romantike në Evropë, në rivierën franceze.

Burime për tabloidin britanik “The Sun” raportojnë se Jay-Z e sheh Rihanna-n si vajzën e tij ndaj edhe e ka këshilluar që t’i japë një tjetër mundësi ish-partnerit të saj. “Besoj që ata do të rikthehen bashkë”, mësohet të ketë thënë Jay-Z. “Unë them se ai është mashkulli i duhur për Rihannën dhe pavarësisht asaj që ai bëri, gjë për të cilën mori dënimin, ai e do atë dhe nuk ka asnjë arsye pse ata të qëndrojnë larg njëri-tjetrit”.

Dhe për këtë duket se Chris Brown po bën gjithçka për t’u rikthyer me ish-partneren e tij, pasi për ta takuar e për të qenë qoftë edhe pak minuta në prani të saj, ka fluturuar për orë të tëra dhe ka shkuar aty ku Rihanna gjendej.