Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 17:23

 

Në një vend si ky i joni që merr frymë me sportin, kur bukuria fizike ndërthuret me futbollin nuk ka se si të mos pëlqehesh dhe përflitesh.

Ky duket se është rasti i Ilda Bejlerit, bukuroshes me pasionin për topin e futbollit që dje ishte e ftuar në 3Jat MAD për t’iu përgjigjur pyetjeve të Mateos dhe Rudit . Dhe kur bëhet fjalë për ata të dy, temat e bisedës janë gjithmonë nga më pikantet. E tillë ishte ajo për Xherdan Shaqirin, ku djemtë kanë ngacmuar Ildën për të marrë vesh diçka më shumë rreth kontakteve që ata të dy duket se ruajnë. Sipas Ildës komunikimi mes tyre është thjesht miqësor që pasi kjo e fundit e intervistoi. Fundja, Xherdani nuk është i pari, por është vetëm një nga futbollistët e shumtë me të cilët gazetarja bukuroshe mban kontakte, përfshirë këtu edhe ata që jetojnë jashtë.

Duke folur për intervistën me Xherdanin, Ilda tregon se pati shumë impakt tek publiku pasi ajo është e para gazetare shqiptare sportive që e merr në intervistë futbollistin që luan për Zvicrën. Më parë ekzistonte një përshtypjes sipas të cilës Xherdani ishte mendjemadh, por duket se ky përafrim me publikun shqiptar ka bërë që të ndryshojë gjithçka. Madje Ilda rrëfen se kishte marrë më pare shumë komente që e cilësonin atë si tradhëtar, një mendim që ajo e ka kundërshtuar me forcë duke e mbrojtur fantazistin e Stoke City, për të cilin thotë se është futbollisti më i mirë shqiptar, gjë që e vërteton një Champions League e fituar me fanellën e Bayern Mynih. Ajo habitet se pse i tillë konsiderohet ai dhe jo James Belushi apo Eliza Dushku, të cilët sipas saj jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për Shqipërinë, por as nuk dinë ndonjë fjalë shqip. Nga ana e tij, Xherdani e ngriti flamurin e Kosovës pas finales së Champions.

Në kuadër të intervistave me futbollistët shqiptarë, Ilda vazhdon duke thënë gjithashtu se në planet e saj janë edhe vëllezërit Xhaka, Taulant dhe Granit.

Për veten ajo deklaron se është tifoze e Real Madrid dhe se vendos skedina, të cilat shpeshherë i fiton. Nuk e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por lë të nënkuptuar se aktualisht është edhe një i dashur në jetën e saj.

Djemtë nuk kishin se si të mos e ngacmonin për reklamën që Ilda ka bërë me rroba banjoje, ku të pasmet e saj janë gjëja e parë që të bien në sy. Këtë e konfirmuan edhe komentet e publikut, të cilët thonin gjithashtu se Ilda e stimulon vetë atë lloj qëndrimi. Gazetarja sportive përgjigjet se ky qëndrim është gjenetik pasi ajo e ka pasur që e vogël. Megjithatë edhe sikur të mos e kishte Ilda thotë që nuk ka asgjë të keqe të dish të rrish bukur dhe të nxjerrësh në pah hiret trupore, duke qenë se është një person publik. Madje edhe arsyeja për të cilën nuk hezitoi të pranonte një reklamë të tillë është se ajo ndjehet në formë shumë të mirë trupore, si dhe pa komplekse.