Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 09:00

Të shohësh me kujdes “madhësinë e gojës” do të thotë të zhytesh në botën e kënaqësisë që lidhet me shijet e ndryshme të saj. Goja është organi ku e forta dhe e buta qëndrojnë gjithnjë pranë njëra-tjetrës, ku ushqimi konsumohet dhe më pas asimilohet. Goja është një pjesë e fytyrës, ku gënjeshtrat, të vërtetat, inati, pasiguria, zilia, gëzimi janë të lexueshme ose të kuptueshme përtej asaj që mund të thuhet me fjalë.

Është një organ me “simbolikë të dyfishtë”: nga njëra anë është porta hyrëse e ushqimit dhe në këtë mënyrë gjykon se çfarë na pëlqen dhe nuk na pëlqen; ndërsa nga ana tjetër, falë qelizave e muskujve që përbëjnë këtë pjesë, është një organ simbolikisht shumë afër vaginës, e si pasojë mund të përfshihet lehtësisht në fushën e sensualitetit dhe kënaqësisë erotike. Sjelljet e saj janë një libër i hapur që tregon karakterin dhe qëllimet tona. “Gjesti” i gojës që mund të lexohet nga të gjithë lidhur me çdo aspekt është buzëqeshja. Emblemë është buzëqeshja e famshme dhe enigmatike e Mona Lizës së Leonardo da Vinçit: në dukje është e thjeshtë, por nuk lexohet qartë.

Katër buzëqeshje që nuk lënë dyshime

Buzëqeshja shqetësuese: fsheh dhimbjen për t’u dukur të fortë

Është e shkëputur dhe jep ndjesinë sikur do të shpërthesh në lot nga një moment në tjetrin. Individi në fjalë sforcohet jashtëzakonisht, sidomos kur është i prekur e ka të vështirë të fshehë dhimbjen, por nuk ka guxim të tregohet vetvetja nga frika se mos të tjerët e gjykojnë si të dobët. Kjo lloj buzëqeshje është sinjal i atyre që, të mbytur në faj, përpiqen të rrëmbejnë faljen e tjetrit.

Buzëqeshja e shtirur, ose false: nxit emocione që në të vërtetë nuk i ndjen

Tipar i veçantë i saj është mungesa e “ndjenjës së gëzueshme” në sy. Muskujt e syrit mbeten të palëvizshëm. Duket qartë një nxitje me paramendim e emocioneve pozitive që në fakt nuk ndjehen. Kjo lloj buzëqeshje mund të fshehë zili, frikë ose thjesht një vetëkënaqje kundrejt bashkëbiseduesve.

Buzëqeshja agresive: tregon se është gati për të sfiduar armikun

Në këtë rast, buzët janë krejtësisht të tërhequra, shpeshherë deri në kufirin ku zbulohen dhëmbët. Kjo është buzëqeshja e ashpër e atij që po përgatitet për të sulmuar, i shtyrë nga dëshira për t’u hakmarrë ose për të vënë drejtësinë në vend. Në këtë rast, të gjithë muskujt e fytyrës i përshtaten emocionit të gojës: sytë, balli dhe hunda, të gjitha shfaqin dëshirën për t’ju kundërvënë armikut.

Buzëqeshja e sinqertë: shpreh të gjithë harmoninë e individit

Edhe në këtë rast, mimika e fytyrës na ndihmon të kuptojmë emocionet që shfaqen nëpërmjet buzëve. Është buzëqeshja verbuese, e relaksuar që na flet për disponueshmërinë e bashkëbiseduesit karshi nesh, mirësinë e tij dhe gjendjen gazmore në të cilën ndihet, sepse është takuar me ne. Jo më kot, kjo lloj buzëqeshje është tipike e fëmijëve të vegjël, të cilëve u qesh e gjithë fytyra kur shohin dikë që e duan.

Kafshimi i buzëve, shenjë dyshimi

Ngrënia e thonjve, kafshimi i buzës tregojnë një gjendje pavendosmërie, një mendim rreth diçkaje që nuk e keni shumë të qartë, që nuk është gjykuar ende si e drejtë apo e gabuar. Dyshimi është i dukshëm, pavarësisht asaj që do të vendosni.

Mbulimi i gojës me dorë tregon turp nga vetja

Të mbulosh gojën me dorë është një lloj tentative për të fshehur atë që po themi. Ndoshta nga turpi apo frika se mos fjalët tona po thonë më shumë gjëra se ç’duhet, ose thjesht për të mos e tradhtuar veten kur po gënjejmë.

Shtrembërimi i buzëve: vjen nga një zhgënjim ose neveri

Shtrembërimi i gojës është shprehje e zhgënjimit, mosaprovim i asaj që bashkëbiseduesi po thotë ose po bën. Mund të shprehë neverinë ose përbuzje për diçka që na duket e patolerueshme.