Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 08:24

Anëtari i grupit Etnon, në asnjë intervistë më parë, ka folur detajisht për rikthimit e tyre në skenë, krijimet e fundit muzikore, por edhe për jetën e tij private. Të gjitha këto, këngëtari i përmblodhi në intervistën e dhënë për emisionin “Flladi”, transmeton “Express” në KTV.

Pas rikthimit që patën këtë vit, grupit Etnon iu vërtetua se kanë një numër të madh fansash pas vetes. Ndonëse nuk ishin 5 vjet në skenë, përkrahësit e tyre i gjetën aty edhe pas rikthimit.

Brenda pak muajve, grupi realizoi një numër të madh këngësh, disa prej tyre bashkëpunime, dhe që të gjitha e patën suksesin e vet. Genc Prelvukaj, në emisionin Flladi të KTV-së, tha se nuk e kishin menduar një rikthim të tillë, pasi industria e shou-bizit shqiptar nuk ta jep atë hapësirë, por gjithçka sipas tij ishte spontane dhe që doli mirë.

Lyrical Son, Teuta Selimi e Sinan Vllasaliu ishin vetëm disa prej këngëtarëve me të cilët grupi solli këngë pas rikthimit.

Pauzën që e patën si Etnon, Genci e konsideron shumë të favorshme për ta, duke shtuar më tej se publiku tashmë ua ka dëshmuar dashurinë që ka për ta.

E nëse e bëjmë një krahasim para pesë vjetësh dhe tash, sipas Gencit, muzika ka ndryshuar gjatë kësaj kohe.

Genci me këtë rast foli edhe për jetën private si dhe për djalin e tij.

“Disa vjet pas ndryshimeve që i kam pas në jetë ka pas një kohë, nja dy vjet, që kam ra shumë në sy se kam ba gjëra pa kontroll edhe mandej kam marr vendimin që, çka do që bëjë e bëjë për veti. Tash jam hi n’çader, normalisht e kisha ndi vetën idiot po t’kisha thanë vetëm…”, ka thënë Prelvukaj. “Tash ka hi në një moshë që e ka kriju botën e vet, ka kriju shoqërinë e vet, shkolla, interneti ka bërë të vetën… nuk e shtyj në muzikë, sigurisht është merakli, ka qejf me ndëgju po kam frik që më shumë e ka marr profesionin tjetër se sa herë kërkon diçka duhet me i fillu negociatat”.

Ndryshe, Genci largimin nga politika e konsideroi të nevojshëm, dhe tani ai aktualisht po i dedikohet tërësisht muzikës, përcjell koha.net.

E sa i përket muzikës, grupi aktualisht është shumë i angazhuar me mbrëmje muzikore, por duke mos e lënë anash krijimin e këngëve të reja, që pritet të publikohen së shpejti.