Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 15:30

Demi Moore ka deklaruar zyrtarisht se do të kërkojë divorcin nga bashkëshorti i saj Ashton Kutcher.

Divorci që rrezikon të jetë më mediatiku, do të kalojë në gjykatë për të vendosur se si do të ndahen 290 milion të ardhura që çifti ka fituar gjatë martesës së tyre 6 vjeçare.

Demi Moore në një deklaratë është shprehur me keqardhje dhe trishtim të thellë për ndarjen nga bashkëshorti i saj.

“Si një grua, nënë dhe bashkëshorte, disa vlera dhe betime i konsideroj të shenjta. Dhe pikërisht në emër të këtyre vlerave unë kam vendosur të vazhdoj më tej jetën time,” ka thënë Demi e cila është shprehur gjithashtu që t’i respektohet privatsia në këto ditë të vështira.

Menjëherë pas deklaratës së saj nuk ka vonuar përgjigja e Kutcher, i cili në “Twitter” ka shkruar se: “Koha me Moore është periudha më e bukur e jetës sime. Martesa është diçka e vështirë dhe fatkeqësisht, ndonjëherë në jetë ndodhin edhe dështime”.

Marrëdhënia midis 49-vjeçares dhe partnerit të saj 16 vjet më të ri dukej perfekte deri në shtator, kur revistat rozë vërtetuan se Ashton kishte kaluar një natë pasionante, madje edhe pa përdorur masa mbrojtëse, në dhomën e tij të hotelit me një vajzë 23-vjeçare. (LajmeShqip.com)