Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 20:40

Tea-Veseli dhe Diedon-Alba larg euforisë së fillimit, tani shoqërohen rrallë me njëri-tjetrin.

Dy muaj pasi loja e “Big Brother 8” përfundoi, shohim edhe ndryshime në jetën e personazheve kryesore të saj në realitet. Pas euforisë së fillimit pasionant, tashmë vihet re ftohje mes dy çifteve të përfolur, Albës me Diedonin dhe Teas me Veselin. Edhe pse janë komentuar edhe nga fansat si dy çifte që u krijuan në lojë, por që po jetojnë ndjenjë të sinqertë me njëri-tjetrin jashtë shtëpisë, as ata nuk i kanë shpëtuar dot monotonisë dhe përballjes me jetën reale.

Kështu, pas disa pushimeve në Jug të Shqipërisë, dhe udhëtimeve të shpeshta mes Tiranës dhe Kosovës, Alba dhe Diedoni, të cilët në intervistat e tyre u shprehën për ceremoni martese, tashmë kanë rënë në heshtje me postimet e tyre në rrjetet sociale. Prej disa ditësh, ata nuk postojnë foto bashkë, siç bënin këto kohë, por foto vetëm ose me miqtë e tyre, transmeton panorama.

Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për një moment reflektimi në jetën e tyre në çift, apo kjo është strategji që ata kanë zgjedhur, për t’u rikthyer me një lajm më të rëndësishëm për jetën e tyre. Deri tani ata po jetojnë lidhje në distancë, pasi Diedoni ka klinikën e tij si stomatolog në Kosovë, ndërsa Alba po bën përpjekje për një punë të re në fushën e gazetarisë.

Nga ana tjetër, Veseli dhe Tea pasi kanë folur gjatë për lidhjen e tyre, këto ditë nuk i shohim të postojnë foto bashkë. Madje, Veseli ka postuar në Facebook një foto në Aeroportin e Kosovës, ku thoshte se po nisej për një udhëtim. Në fotot e ditëve në vazhdim që Veseli ka postuar duke u argëtuar në det, Tea nuk duket askund, dhe Veseli ndodhet në shoqërinë e miqve të tij.

Le të shohim se si do të vazhdojë më tej “telenovela” e lidhjeve të ish-banorëve të “Big Brother”, që shihen gjithmonë me skepticizëm nga vetë lojtarët e këtij “reality show” dhe po ashtu nga fansat.