Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 14:00

Një fotografi që shfaq Whitney Houston në arkivolin e hapur është publikuar në kopertinën e ‘National Enquirer’. Fotoja shokuese tregon këngëtaren e vdekur me një fustan lejla dhe me një karficë diamanti në flokë.

Revista e përjavshme amerikane shkruan me të mëdha në kopertinë: “Whitney, fotografia e fundit!”

Bëhet e ditur se fotoja është bërë në Whigham Funeral Home, në Nju Xhersi, të premten e kaluar, por nuk publikohet emri i fotoreporterit.

Reagimet në Twitter nuk kanë qenë të mira. Përdoruesit kanë kritikuar revistën që nuk po e lë të qetë këngëtaren as në botën tjetër.

Fituesja e 6 çmimeve Grammy, e vetmja artiste që rreshtoi njëri pas tjetrit 7 hite radhazi në vendin e parë të klasifikimeve, është kujtuar në Njuark të Nju Xhersit, pikërisht në kishën ku këndoi fëmijë përpara familjes së vet dhe të gjithë komunitetit.

Pjesëmarrës në ceremoni ishin mes të tjerësh mbretëresha e soul-it, Aretha Franklin, i madhi Stevie Wonder dhe fituesi i Academy Award, Cevin Costner. Varrimi i Whitney Houston mblodhi dhe një grup emrash të famshëm dhe kjo nuk është çudi, në fund të fundit, kishte gati 30 vjet që punonte me më të mirët.

Ajo mori 400 çmime karriere, shiti më shumë se 170 milion albume në mbarë botën dhe regjistroi këngë për një nga kolonat zanore më të shitura në të gjitha kohërat në filmin, “The Bodyguard”.

Por në ceremoninë e varrimit ku pjesëmarrja ishte me ftesë, më shumë se sa fama dhe arritjet e saj, u kremtua besimi, shpresa dhe dashuria. Ky është edhe mesazhi që 1.500 personat e pranishëm morën në kishën me tulla të kuqe, ndërsa miliona të tjerë ndoqën shërbesën në televizion apo dhe në internet.