Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 11:30

Jennifer Lopez është ajo që ka rrokur kreun. Bëhet fjalë për klasifikimin e përvitshëm të revistës “Forbes”, e cila ndër 100 të famshmit më të pasur dhe të fuqishëm të botës, këtë vit ka pozicionuar në vendin e parë këngëtaren, aktoren por edhe kërcimtaren Lopez, e cila ka zbritur nga froni këngëtaren Lady Gaga dhe mposhtur njëkohësisht një ikonë të medias amerikane, Oprah Winfrey.

Një listë kjo e cila nuk ka të bëjë vetëm me fitimet e të famshmëve, por edhe praninë e rolin e tyre në arenën e veprimtarive artistike përgjatë një viti. Por më shumë se sa ka fituar betejën me dy të famshmet, Lopez ka pasur një sfidë të jashtëzakonshme me veten, pasi 42-vjeçarja një vit më parë ka qenë vetëm në vendin e 50-të.

Përgjatë 12 muajve të shkuar, sipas llogarive të pagabueshme të “Forbes”, ajo ka fituar plot 52 milionë dollarë dhe një pjesë të mirë të të ardhurave dhe famës i ka fituar falë pranisë së saj në spektaklin e talenteve, “American Idol”. Duket se ky ka qenë vërtet një vit tepër i rëndësishëm në karrierën e këngëtares, e cila pak javë më parë shpalli edhe mbajtjen e një turneu botëror së bashku me një tjetër këngëtar të suksesshëm, Enrique Iglesias.

Winfrey mundi të pozicionohej vetëm në vendin e dytë. Ky qe një vit i rëndësishëm për të sepse transmetimin e emisionit të saj të famshëm e kaloi në “OWN TV Network”.

Vendi i tretë ishte rezervuar për kanadezin e muzikës pop, Justin Bieber, 18-vjeçari i cili ka qenë jo pak i suksesshëm. Ndërsa, për të parën herë ka hyrë në këtë listë këngëtarja Rihanna, e cila ka pasur një vit fitimprurës dhe në llogarinë e saj janë shtuar plot 53 milionë dollarë.