Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 11:30

Pikërisht në vendin ku këngëtarja tragjike Amy Winehouse pati debutimin e saj amerikan në Nju Jork në vitin 2007, njerëzit pranë saj u bënë sërish bashkë, por këtë herë për një tjetër qëllim.

Familja e këngëtares dhe miq të ngushtë të tyre, këtë 12 Prill u bënë bashkë në pub-in e saj të preferuar ‘Joe’ në Nju Jork për të promovuar degën amerikane të fondacionit që mban emrin e saj. Një organizatë kjo e themeluar nga i ati me qëllimin e vetëm për të ruajtur kujtimin e saj dhe jo vetëm kaq, për t’i ardhur në ndihmë të rinjve që luftojnë me sëmundje të ndryshme; sidomos të rinjve që janë të varur nga lëndët narkotike dhe të varfërve të cilët për shkak të gjendjes financiare nuk mund të ndjekin ëndrrat e tyre.

Prindërit e këngëtares Janis Winehouse Collins dhe Mitch Winehouse janë të divorcuar, por janë duke punuar ngushtësisht bashkë për të çuar përpara misionin e këtij fondacioni, të ndihmuar edhe nga vëllai i saj, Alex.

“Nuk mund të mos jemi të gjithë zemërthyer për humbjen tonë të madhe, dhe më e pakta që mund të bëjmë për momentin, është që të bëjmë diçka për të rinjtë e tjerë”, është shprehur i ati i Winehouse për të pranishmit në “Joe’s Pub” në Nju Jork.

Sipas deklaratave të familjes së saj, deri më tani fondacioni që mban emrin e saj, ka mundur të grumbullojë mëse 1 milionë paund të cilat do të investohen për t’i ardhur në ndihmë të rinjve në nevojë. Sa i takon donacionit të parë të fondacionit të saj për Amerikën, mësohet se ndihma e parë ka shkuar për orkestrën e xhazit të New Orleans.

Ndërkohë, i ati i këngëtares është duke përfunduar librin e tij për të bijën, i titulluar “Amy My Daughter”, të ardhurat e të cilit do të shkojnë gjithashtu për fondacionin. Libri pritet të botohet gjatë muajit qershor.